Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, njihet nga publiku si njëri ndër kryetarët më të thjeshtë dhe modest të Kosovës.
Në anën tjetër, në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsionit (AKK), kryetari Suma ka bërë të ditur se nuk është keq për nga ana financiare.
Ai ka deklaruar se ka një shtëpi në vlerë prej 59.100 eurove dhe pesë parcela të tokave në vlerë totale prej 114.800 eurove, shkruan Ballkani.info.

Sidoqoftë, Suma ka përshkruar se prejardhja e kësaj pasurie është e trashëguar nga prindërit e tij.
Tutje, ai ka deklaruar se posedon edhe një veturë ‘VW Touran’ me vlerë prej 6000 eurove.
Në anën tjetër, Rufki Suma ka deklaruar gjithashtu se ka 1860.12 euro në total, të deponuara në dy banka të ndryshme në Kosovë.

Për udhëtime jashtë vendit, ai ka deklaruar se ka një shumë vjetore prej 363.40 euro, përderisa përfiton 2628 euro në vit nga pensioni i TMK-së.
Në fund, Suma ka deklaruar ka përfituar nga shpronësimi i pronës për autostradë në një vlerë prej 45000 eurove, e cila sipas tij është ndarë në katër pjesë të barabarta, ku pjesa e tij ka qenë 11250 euro, para këto që ai thotë se i ka shfrytëzuar për kryerjen e hagjit së bashku me bashkëshorten.
Ai ka theksuar se në deklarimin e pasurisë nuk i ka cekur mjetet e përfituara si dhe nuk e ka llogaritur pensionin e pleqërisë së nënës. /Ballkani.info








