Kryetari Ahmeti nuk e deklaron banesën e nënës në Shëngjin, ka një arsyetim për këtë

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë publikimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2019. Është publikuar edhe i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari Ahmeti nuk e ka deklaruar banesën e nenës së tij të cilën e ka në Shëngjin të Shqipërisë, shkruan lajmi.net. Mos deklarimin e kësaj pronë të prindit, Ahmeti e ka arsyetuar lidhur me atë se nuk jeton me nënën.

“Pasuria deklarohet për “bashkëshortët, bashkëshortët jashtë martesor, prindërit dhe fëmijët me të cilët jeton në bashkësi familjare”. Pra, unë e deklaroj pasurinë ne emër timin, bashkëshortes dhe fëmijëve qe janë ne bashkësi familjare me mua”, tha Ahmeti për lajmi.net.

Megjithëkëtë, në deklarimin e pasurisë të Ahmetit, në fund të formularit figuron banesa e prindit që e ka në Prishtinë.

“Banesa e prindërve e dhënë në shfrytëzim nga Teatri Krahinor ne vitin 1973, është bërë padia në Gjykatën Themelore-jokontestimore në vitin 2013,dhe vendimi është marrë nga gjykata në favor te prindit ne vitin 2018. Pronësia nuk është bart ende te prindi”, thuhet në formularin e pasurisë. Po ashtu, Ahmeti ka deklaruar edhe pronën e vëllait të tij, në të cilën jeton, por jo dhe ndonjë pasuri tjetër të tij, apo të nënës. “ Jam me banim te përkohshëm në shtëpinë ne Lagjen NIC në Çagllavicë, ne pronësi të vëllaut. Është dokumentacioni në vitin 2014 sipas kërkesës se AKK “. Vlen të theksohet pasuria mund të figurojë si e përbashkët me vëllaun ose prindërit, derisa nuk ka ndonjë vendim të gjykatës për ndarjen e pasurisë.

Megjithëkëtë, në kohën kur Ahmeti kishte pranuar detyrën e kryetarit të Prishtinës, në vitin 2014 e kishte deklaruar pasurinë e nënës, si atë të tundshme dhe të pa tundshme, por dhe parat në bankë. Kishte deklaruar dy banesa.

“1. Banesë e prindërve që kanë blerë nga pala tjetër në vitin 2002 ende nuk është përkthyer megjithatë kontratat e shitblerjes ekzistojnë në vlerë prej përafërsisht 80.000 euro. Si të kalon në pronësi të nënës, do ta paraqesim në AKK. 2. Banesë e prindërve e dhënë në shfrytëzim nga Teatri Kombëtar babait Ali Ahmeti në vitin 1973. Është bërë kërkesa për privatizim nga prindërit. Çfarëdo ndryshimi në status do të lajmrohet në AKK”.

Nëna e Shpend Ahmetit, Luljeta Nebih Ahmeti, ka blerë një banesë në Ishull Shëngjin. Sipas fletës poseduese, apartamenti i blerë nga nëna e Ahmetit, ka një hapësirë prej gati 54 metër katrorë, saktësisht 53.40 metër katrorë. Po sipas Fletës Poseduese apo Çertifikatës së ‘Për Vërtetimin e Pronësisë’, apartamenti është bartur në emrin e Luljeta Ahmetit, në korrik të vitit 2016.

Kujtojmë që sipas kodit penal të Kosovës mosdeklarimi i pasurisë ose deklarimi i rremë është vepër penale. /Lajmi.net/