Kryetarët e komunave i kërkojnë Qeverisë heqjen e orës policore: Nuk po ka asnjë rezultat

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se vaksinimi është arma kryesore kundër pandemisë me Covid-19 dhe jo ora policore.

Ibrahimi ka thënë se nuk ka argument shkencorë që me orë policore luftohet shpërndarja e virusit.

Po ashtu ai ka shtuar se duhet të kërkohet një bilanc ndërmjet shëndetit publik dhe atij ekonomik në mënyrë që mos të dëmtohen në masë të madhe bizneset në raste së shtrëngimit të masave.

“Nëse bëhet krahasimi i orës policore nga muaji tetor, nëntor, dhjetorë dhe tash nuk ka dhënë asnjë rezultat sepse në mënyrë shkencore është konstatuar se vetëm vaksinimi është arma kryesore e cila lufton pandeminë Covid-19”.

“Kryetarët e komunave kanë kërkuar që të gjendet një balancë mes shëndetit publik dhe ekonomik. Është konkluduar se pa një shëndet të mirë ekonomik nuk po kemi shëndet publik. Komunat kërkojnë të gjendet një balancë mes shëndetit ekonomik dhe publik, por prioritet e kanë jetën e qytetarit”.

Ai më tej ka shtuar pas rritjes së numri të rasteve me Omicron janë duke pritur që të takohen me institucionet qendrore në lidhje me masat e mundshme.

“Duke marr parasysh se rastet me Covid -19 me varantin Omicron janë duke u rritur në mënyrë drastike kryetarët e komunave, por edhe Asociacioni e Komunave të Kosovës është në pritje të një takimi të mundshëm me nivelin qendrorë përkatësisht me Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të diskutohet situata aktuale në teren dhe të diskutohet rreth masave të mundshme që mund të priten për shkak të rritjes së numrit të infektuarve”.

Po ashtu Asociacioni i Komunave sipas Ibrahimit kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të rikthehet në komunitetin anti-Covid, sepse sipas tij, komunat luajnë një rol domethënës në parandalimin e përhapjes së Covid-19, raporton EO.

“Komunat që nga fillimi i pandemisë kanë qenë në ballë të situatës, gjithnjë janë ballafaquar drejt për drejtë me qytetarin e Republikës së Kosovës. Të gjitha komunat kanë organizuar nga një Qendër të Mjekësisë Familjare, e quajtur si ‘Qendër Covid’”.

“Kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi dhe ai i komunës së Prishtinës Përparim Rama janë me Covid-19, por gjithë kryetarët njëzëri kërkojnë nga qytetarët të vaksinohen”.

“Kryetarët e komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës i bënë thirrje nivelit qendrorë që të ketë bashkëpunim më korrekt dhe të sinqertë me nivelin lokal. Gjithashtu kërkojmë nga niveli qendrorë që të kthehet Asociacioni i komunave në komunitetin anti-Covid, sepse komunat luajnë një rol domethënës në parandalimin e përhapjes së Covid-19”.