Kur kanë kaluar 10 ditë nga shkarkimi i Pëllumb Bajqinovcit nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, subjektet politike nuk i kanë siguruar ende numrat për emërimin e kryesuesit të ri.
Sipas burimeve të Kohës, Lidhja Demokratike e Kosovës është në diskutim të ngushtë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për një marrëveshje të përbashkët.
Megjithatë, edhe me 5 asamblistët e AAK-së, partia në pushtet e cila ka 14 këshilltar komunalë nuk mund të thërrasë seancën e jashtëzakonshme pasi i nevojiten 26 nënshkrime.
Për të siguruar këta numra, asaj i duhet të kërkojë ndihmë nga VV-ja ose PDK-ja.
Udhëheqësi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Bahri Gashi, ka thënë se nuk ka ende asgjë konkrete në këtë drejtim.
“Nuk mund të them asgjë, sepse për momentin nuk kam asnjë njoftim zyrtar prej partisë, se zakonisht merret partia me koalicione. Në momentin që ka diçka do të dalim edhe me njoftim zyrtar. Zakonisht kryesuesi është i subjektit më të madh ose të dytës në radhë dhe ata thirrin seanca dhe ne i përgjigjemi thirrjes. Si grup i katërt nuk kemi interes të zgjedhim kryesues, sepse nuk mundemi se nuk kemi vota”, ka deklaruar Gashi.
E në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe vetë kryetarit Rama ka folur zëdhënësi i Komunës, Donat Lushaku. Sipas tij, tashmë janë duke u bërë disa diskutime, por pa u kufizuar në një parti të veçantë dhe se jodetyrimisht LDK-ja kërkon të ketë kryesuesin.
“Tani të gjitha partitë politike brenda Kuvendit Komunal e ka mundësinë të formojë shumicën kuvendare komunale. Ende nuk është formuar ajo shumicë. Sigurisht që është LDK-ja dhe kryetari Rama kanë zhvilluar disa diskutime pa u kufizuar në parti të caktuara, por për të arritur një konsensus të përgjithshëm për të krijuar një shumicë të re kuvendare komunale prej 26 numrash në mënyrë që të rrjedhin të gjitha proceset normalisht në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai.
Por Vetëvendosje mohon që të ketë pasur ndonjë kërkesë nga partia në pushtet për bashkëveprim në këtë situatë.
“Nuk ka asnjë kërkesë nga kryetari Rama për bashkërendim për këtë situatë, edhe sikur të kishte ai duhet të kërkojë diku tjetër, sepse ne si VV jemi deklaruar qartë që këtë legjislaturë nuk bëjmë koalicion as me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe as me Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Gëzim Sveçla nga kjo parti.
Si partia me përbërjen më të madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se është në pritje të partisë qeverisëse.
“Ne nuk po e paraqesim akoma, sepse po presim që ata që udhëheqin me Prishtinën të ndërmarrin këtë hap. Ne kemi bërë hapin e parë, zhbllokimin e Kuvendit duke bërë shkarkimin e kryesuesit, sepse ai kryesues për mungesë të koalicionit nuk ka arritur të ftojë seanca. Tani ne ia kemi dhënë një mundësi të dytë partisë në pushtet dhe nëse nuk arritur ende, atëherë ne si VV që të bëjmë hapin dhe të bashkërendojmë me asamblistë të tjerë në mënyrë që të zgjidhet kryesuesit i Kuvendit”, ka deklaruar Sveçla.
Është muaji i tretë që Komuna e Prishtinës nuk ka mbajtur një mbledhje të rregullt.
E brenda një viti sipas drejtorit të Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duhet të mbahen 10 seanca të rregullta.
Sipas ligjit, Kuvendi i Komunës së Prishtinës konsiderohet jofunksional nëse nuk e zgjedh kryesuesin brenda 30 ditësh, por kjo vlen pas themelimit të saj.
E pyetur nga Koha, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se si duhet të veprohet në rastin në të cilën ndodhet Prishtina./Koha







