Kryeprokurori i Speciales: Nëse shpallet fajtor, Rexhep Selimi mund të përballet me një dënim të gjatë

Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, po vazhdojnë të qëndrojnë në dhomat e paraburgimit në Hagë. Që nga 5 nëntori i 2020-ës, atyre u është refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri nga instancat e Speciales.

Ndonëse po bëhen gati 2 vite që prej se krerët e UÇK-së u privuan nga liria, Prokurori i Specializuar në Hagë po kërkon që të njëjtëve t’u vazhdohet sërish paraburgimi, shkruan lajmi.net.

Një kërkesë të tillë, kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, e ka bërë edhe për “10-shin” e UÇK-së, Rexhep Selimi. Smith, në parashtresat të cilat i ka parë lajmi.net, ka thënë se bazuar në gjetjet e gjyqtarit, Selimi ka tendencë për t’iu shmangur procedurave, nëse i njëjti lirohet.

“Z. Selimi ka një nxitje dhe mjete për t’iu shmangur procedurave. Në lidhje me këtë, z. Selimi mban një pozicion ndikimi që mund ta ndihmojë atë në shmangien e procedurave”, ka thënë Smith.

Për më tepër, Smith thotë se progresi në procedurë, që përfshinë zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe depozitimin e dosjes paraprake, mund të ndikojë në rrezikun që gjyqi të pengohet nga Selimi, në rast të lirimit.

“Kjo është parë drejt në kontekstin e një klime të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedimet penale.Veçanërisht, depozitimi i dosjes së procedurës paraprake dhe listës së dëshmitarëve të Prokurorisë, si dhe zbulimi i identitetit të dëshmitarëve, rrisin rrezikun e pengim”, ka thënë kryeprokurori Smith.

Mirëpo nuk mbaron me kaq. Kryeprokurori i Speciales parashikon se nëse Selimi shpallet fajtor, ai mund të përballet me një dënim të gjatë.

Kjo pasi që siç potencon Smith, Selimi përballet me akuza të rënda.

“Përveçse është i nevojshëm, vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i arsyeshëm. Z. Selimi akuzohet për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe, nëse shpallet fajtor, mund të përballet me një dënim të gjatë. Rreziqet sipas nenit 41(6) nuk mund të menaxhohen në mënyrë adekuate jashtë objekteve të paraburgimit. Pikat kryesore në fazën paragjyqësore ose janë përmbushur ose do të përmbushen së shpejti. Është e rëndësishme që Prokuroria ia ka dorëzuar të akuzuarit dokumentin e saj para-gjyqësor dhe listën e dëshmitarëve, dhe është gjithashtu në rrugën e duhur për të dorëzuar një listë të përditësuar të dëshmitarëve, për të plotësuar njoftimin e Rregullës 102(3), të plotësojë zbulimin e artikujve të kërkuar nga rregulli origjinal 102( 3)”, thotë Smith.

Në fund të parashtresave të tij, Smith ka kërkuar nga gjyqtari paraprak t’ia vazhdojë paraburgimin ish-deputetit të VV-së.

Kujtojmë se për mbrojtjen në liri të Rexhep Selimit, mirëpo edhe të ish-krerëve tjerë të UÇK-së, garantore kishte dalë edhe Policia e Kosovës, mirëpo që këtë nuk e kishte marrë parasysh në asnjë moment gjyqtari paraprak e as panelet e Apelit të caktuara pas ankesave.

Për lirimin e Rexhep Selimit, letër në Gjykatën Speciale kishte dërguar edhe Albin Kurti, i cili atë kohë s’e kishte marrë ende pozitën e kryeministrit. /Lajmi.net/