Kryeprokurori Bramertz: Ende nuk dihet kur do të ngrihen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale

Kryeprokurori i Mekanizmit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Serge Brammertz, ka folur për ngritjen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale.

Kryeprokurori i Mekanizmit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Serge Brammertz, ka thënë se akoma nuk dihet kur do të ngrihen paditë e para në Gjykatën Speciale për krimet e pretenduara të luftës së UÇK-së të kryera në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo mund të vonohet, përcjell lajmi.net.

“E di se viktimat në Kosovë kërkojnë drejtësi, por druaj se kjo do të vonojë”, ka deklaruar Brammertz për “TV Prva”, kur u pyet se a e habitë fakti se Gjykata për krimet e pretenduara të UÇK-së ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Brammertz shtoi se nuk është zëdhënës i kësaj Gjykate dhe ka kujtuar se një prokuror veçse ka dhënë dorëheqje.

“Tash vonë është emëruar prokurori i ri, jam takuar me të, ka nisur punën, por nuk e di se kur do të dalin aktakuzat e para. E vetmja gjë që mund t’ju them është se jemi duke bashkëpunuar ngushtë. Por, varet nga ta se kur do të ngrenë aktakuzat e para”, është shprehur ai, transmeton lajmi.net.

Kryeprokurori Brammertz e ka vlerësuar si të vështirë këtë hetim ndërkombëtar pasi që sipas tij, këto hetime po kryen në Hagë përderisa do të duhej të kryheshin në Kosovë.

Sipas tij, edhe më shumë e vështirëson këtë proces fakti se duhet të mbrohen dëshmitarët, të ruhet identiteti i tyre, të sigurohen dëshmitë për këtë proces hetimor dhe kjo siç është shprehur kryeprokurori Brammertz merr shumë kohë.