Kryeministri i Malit të Zi i përgjigjet Kurtit për demarkacionin: Marrëveshja është e obligueshme për të dy palët

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk do të ketë zbatim të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në formën në të cilën u ratifikua në vitin 2018.

Krivokapiq është shprehur se kjo marrëveshje është e detyrueshme për të dy palët.

“Kjo marrëveshje është e vlefshme dhe e detyrueshme për të dy palët. Çështja e kufijve në Ballkan është gjithmonë problematike. Nëse prekni kufijtë, kjo është potencialisht një konflikt. Dy grupe ekspertësh kanë deklaruar atë situatë dhe është e verifikueshme ndërkombëtarisht dhe unë nuk shoh asnjë arsye për ta ngritur atë çështje” u shpreh Krivokapiq për Radio Televizionin e Malit të Zi.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më para ka paralajmëruar se nuk do të ketë zbatueshmëri të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e ratifikuar më 2018-ën, në Kuvendin e Kosovës.

“E unë do të bëjë maksimumin që të korrigjojë gjithçka që është bërë padrejtësisht gabueshëm, e dëmshëm në vitin 2018 kur u pat ratifikuar ajo marrëveshje, e cila ia humbi territorin e saj Kosovës”.

”Unë do të përdori mekanizmat, sa më shpejtë që mundem, sa më shumë që mundem, në mënyrë që të korrigjojë gabimet fatale të tmerrshme që patët bërë ju në legjislaturën e kaluar”, është shprehur Kurti ditë më parë.