Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës së martë ka pasur problem shëndetësore me ç’rast është shtruar për trajtim në QKUK.
Në orët e pasditës, është thënë se sipas rezultateve të analizave, Kurtit i është shfaqur një infeksion në mushkëri.
Ballkani.info ka komunikuar sonte me shefin e Intenzivës në Klinikën Infektive të QKUK-së, Shemsedin Dreshaj.
Dreshaj ka thënë se Kurti është spitalizuar në mjekimin intenziv të Klinikës Infektive dhe se bëhet fjalë për ndezje të anës së djathtë të mushkërive.
“Sipas raportit të deritashëm, është përjashtuar dyshimi në Gripin A dhe është konstatuar pneunomi e shkaktuar nga Klamidia pneumonie. Pacienti për momentin është jashtë rrezikut, gjendja e tij është stabile dhe nuk priten ndërlikime të sëmundjes. Pacienti ka pasur komplet trajtimin e duhur”, ka thënë Dreshaj për Ballkani.info.
Për të parë gjendjen e Kurtit nga afër, sonte rreth orës 21 e 30 në QKUK ka shkuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë bërë të ditur burime të Ballkani.info.
Më herët gjatë ditës, Kurti është vizituar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Vizitën e Ismailit për Ballkani.info e ka konfirmuar Arben Vitia, udhëheqës i degës së VV-së në Prishtinë.
Megjithatë, duket se te Kurti ende nuk ka shkuar askush nga ish miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afër, deputetët e PSD-së.
Vitia nuk ka dashur të tregojë nëse Kurti është vizituar ose është telefonuar nga ish kolegët e partisë, tash deputetë të PSD-së. Sipas tij, nuk është moment tash të flitet për këto gjëra.
Ballkani.info sonte ka biseduar me deputetin e PSD-së, Fisnik Ismaili.
Ismaili ka thënë se deri më tani nuk ka qenë në dijeni se bëhet fjalë për infeksion në mushkëri, pasi që sipas tij në media e ka kuptuar se Kurti ka grip sezonal dhe nëse do të ishte vetëm grip, nuk do të interesohej që të shkonte në vizitë.
“Tani po e kuptoj që bëhet fjalë për infeksion, deri më tani kam kuptuar se Kurti ka vetëm grip sezonal dhe jo diçka serioze”, ka thënë Ismaili.
“Për një njeri i cili nuk ka shkuar tek ish bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, në varrim të prindërve të tyre, si mundeni të më pyesni mua a kam shkuar të vizitoj një njeri me grip, pasi që unë kam qenë në dijeni që Kurti ka vetëm grip dhe jo diçka më shumë. Ju po më pyesni për një njeri, i cili kur bashkëpunëtorëve të tij iu kanë vdekur të afërmit, nuk ka shkuar as në varrim as në të pame, e këtë gjë ia ka ndaluar edhe aktivistëve të tij. Pse nuk u pyet më herët Albin Kurti pse nuk ishte në varrim kur i vdiq babai Visar Ymerit, ose halla Qëndron Kastratit, pra të gjithë ish kolegë të ngushtë të tij. As Albini, as të tjerët nuk kanë marrë pjesë në varrimin e nënës së aktivistit tonë, Trimit. Mendoj që më të rëndësishme janë këto pyetje sesa të më pyesni mua a do ta vizitoj një njeri me grip, i cili nuk ka fije respekti kur njerëzve ju vdesin të afërmit e tyre”, ka thënë Ismaili për Ballkani.info.
Tutje, Ismajli ka thënë se tani është njoftuar që bëhet fjalë për diçka më shumë se grip sezonal, pasi që gjatë ditës ka qenë në Gjykatë.
“Unë tash po kuptoj që po bëhet fjalë për diçka më shumë se grip sezonal, pasi që gjatë ditës kam qenë në Gjykatë për t’u gjykuar për diçka me e përkrahë Albin Kurtin, gjë kjo për të cilën ai më ka poshtëruar mua tash e një vit”, ka thënë tutje Ismaili.
Në fund, deputeti nga radhët e PSD-së ka thënë se nëse gjendja e Kurtit do të përkeqësohej, ai do të shkonte në vizitë.
“Po e them prap, deri më tani nuk kam qenë në dijeni për gjendjen e tij, por nëse gjendja e tij do të përkeqësohet, unë prap bëhem më burrë dhe do ta vizitoj por nuk e harroj kurrë që ai njeri nuk ka shkuar në varrim të prindërve të njerëzve më të rëndsishëm të cilët i ka pasur shokë të ngushtë”, ka përfunduar Ismaili për Ballkani.info.







