Krizë për bukë në Kosovë, gruri që pritet të korret mbulon vetëm 30 përqind të nevojave

Kosova as këtë vit nuk do të arrijë t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit. Mungesën e grurit e ka konfirmuar edhe vet ministri Faton Peci.

Arat e Kosovës këtë vit pritet që të japin bukën për vetëm 30 përqind, krahasuar me nevojën totale për konsum.

Kështu është shprehur Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve.

“Sipas informacioneve tona nuk ka më shumë 40 mijë hektarë të mbjellë, aty diku. Bazuar në rendimente shumë të ulëta, nuk do të kemi më shumë se për 30 përqind të nevojave të popullatës. Me këto sipërfaqe dhe rendiment nuk do të arrijmë më shumë 3 mijë kilogramë për hektarë, mesatarja”, është shprehur Tahiri.

Ai është ankuar në Ministrinë Bujqësisë sa i përket mos mbikëqyrjes së fushatës së korrje-shirjeve, duke shtuar se kanë ndodhur keqpërdorime.

“Fushata e korrje-shirjeve në përgjithësi po shkon mirë sepse kombajnerët që janë të angazhuar në terren po punojnë pa ndonjë problem. Mund të ketë aty-këtu disa kombajnerë që po korrin me çmim më të shtrenjtë. 130 euro është caktuar çmimi për hektar nga Ministria e Bujqësisë, por ka kombajnerë që po korrin me 150 euro hektarin. Ministria e Bujqësisë e ka neglizhuar fushatën, nuk e ka formuar shtabin për korrje-shirje. Me lamën e një viti sigurohet buka për popullatën dhe duhet t’i kushtojmë shumë më shumë rëndësi”, ka treguar ai  në  Klan Kosova FM.

Tahiri ka thënë gjithashtu se bujqit ende nuk I kanë marrë subvencionet për grurë të ndara nga Ministria e Bujqësisë.

Ditë më parë Demokracia.com ka raportuar duke treguar se kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose rreth 400 mijë tonë grurë në vit. Të sigurta për këtë vit janë veç 260 mijë ton.

Se tokat e mbjella me grurë nuk po e mbulojnë kërkesën e qytetarëve, e ka pranuar edhe vet ministri  Faton Peci në një deklarim për media.

Nevojat e tregut në Kosovë, sipas ministrit Peci, do të përmbushën rreth 73 për qind. Pjesa tjetër duhet të mbulohet me import.

“Fillimisht janë pritur rendimente më të larta, por më vonë disa të reshura kanë ulur këto parashikime. Rendimentet priten të jenë nga 4.000 deri në 4.500 kilogramë, për një hektar.  Nevojat e tregut në Kosovë do të përmbushën rreth 73 për qind, kjo edhe sipas vlerësimeve të ekspertëve. Nevojat e Kosovës janë për rreth 400 mijë ton grurë, kurse Kosova pritet të siguroi mbi 260 mijë ton grurë”, ka deklaruar ai në RTK.

Edhe Instituti GAP në një analizë të publikuar ka treguar se Kosova po vazhdon të importojë grurë e miell nga vendet  botës.

Gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar mbi 84% të grurit dhe 89% të misrit nga Serbia në vlerë rreth 19 milionë euro dhe 11 milionë euro, respektivisht. Ndërsa me fillimin e luftës në Ukrainë, Serbia ka vënë ndalesë për eksportin e vajit, miellit, misrit, dhe grurit në vendet tjera. Mirëpo, nga të dhënat e Doganës së Kosovës, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2022, Kosova ka importuar mbi 5.6 milionë euro grurë nga Serbia dhe atë pjesa më e madhe është (mbi 3.5 milionë euro) importuar gjatë muajit mars. Po ashtu, Kosova ka importuar rreth 4 milionë euro misër gjatë TM1 2022, ku mbi 89% është e importuar përsëri nga Serbia.

Edhe gjatë këtij viti, Kosova ka importuar grurë nga Kroacia dhe Hungaria, mirëpo në vlera më të vogla, rreth 700 mijë euro nga të dyja këto së bashku. Ngjashëm nga këto tri vende janë importuar dhe misër në vlerë rreth 441 mijë euro gjatë TM1 2022.

Muaj ma parë një siguri për qytetarët lidhur me grurin dhe bukën e pati dhënë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari duke thënë se deri tani nuk ka vështirësi për import të grurit dhe miellit.

“..Ne po ashtu po veprojmë edhe me rritjen e rezervës shtetërore në 10 milionë euro. Dhe rezerva është jo më për çështje ditësh, por për çështje muajsh. Deri më tash kemi siguruar mjaftueshëm, por edhe në korrik vijnë kultivuesit tonë grurit dhe ofrojnë edhe më shumë për rezervën shtetërore”.

Që Kosova të mbulojë një pjesë të madhe të nevojave bujqësore, Qeveria pati ndarë 5 milionë euro për subvencionimin e naftës së bujqve.

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare publike nga institucionet, sa i takon sasisë së grurit, në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, patën thënë se sasia e grurit në dispozicion mbulon nevojat për më së shumti tre muaj.

Kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose në total rreth 400 mijë tonë grurë në vit. Sasia e saktë, lloji i produktit dhe vendndodhja e mallrave që janë në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihet.

Ato konsiderohen ‘sekret shtetëror’ sipas Ligjit për rezervat shtetërore.

Rezervat menaxhohen nga Departamenti i rezervave shtetërore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). /Demokracia.com/