Kritikohet ikja e Albin Kurtit nga marrja e përgjegjësisë që i takon

Dy ftesa për takim brenda ditës, kanë shkuar në adresë të Vetëvendosjes, nga presidenti Hashim Thaçi.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin në takim konstultativ rreth mandatarit për formimin e qeverisë.

Në Zyrën e Presidentit, takimi i parë dështoi meqë Vetëvendosje njoftoi se lideri i saj, Albin Kurti, nuk ndodhet në Prishtinë, raporton KTV.

Pas refuzimit të ftesës, presidenti Thaçi sërish ka ftuar në orën 20:00 liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Por, as kësaj radhe Kurti nuk i shkoi në takim presidentit, e njoftimin e bëri ai personalisht përmes një letre dërguar Thaçit.

“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte. Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, por i shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaja”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se në këtë rast janë dy mundësi: Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Për analistin politik Artan Muhaxhiri, mosshkuarja në takim e Kurtit është taktizim politik.

“Është e pakuptueshme tendenca e zotit Kurti që ta injoroj këtë ftesë, sepse njeriu i cili i ka fituar zgjedhjet dhe i cili i ka 184 mijë vota, duhet ta ketë vetëm një prioritet dhe ai është themelimi i qeverisë. 24 orë në ditë ai duhet të jetë i gatshëm që të përgjigjet ndaj kërkesave kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e qeverisë”, ka thënë Muhaxheri.

Në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, prej momentit kur mandatohet nga presidenti, mandatari për kryeministër ka afat 15 ditë për formimin e qeverisë.