Krerët e shtetit përkujtojnë 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë

Në qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë u zhvillua sot ceremonia përkujtimore e 109-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në ceremoninë e ngritjes së flamurit ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama, prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, drejtues të lartë të pushtetit vendor, qytetarë, etj.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, drejtuesit e lartë të shtetit vendosën kurora me lule në monumentin e Pavarësisë.

Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.