“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivista” – Fillon marshi protestues para Ministrisë së Drejtësisë

“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivista”, “Mos i lëshoni kriminelët me procedurë të rregullt”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Kjo Ministri i ka duart me gjak”, “Drejtësi për gratë e vrara”, janë vetëm disa nga thirrjet që po bëhen në marshin protestues që ka filluar në ora 12:00 para objektit të Ministrisë së Drejtësisë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, janë organizatorët e këtij marshi, pas vrasjes mizore të 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.

Marshi i cili ka filluar është planifikuar të vazhdojë nga Ministria e Drejtësisë, tek ajo e Punëve të Brendshme dhe përfunduar pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, në të njëjtën kohë kur qytetarë të shumtë po protestonin duke kërkuar dënimin maksimal për fajtorin.

Vrasja që tronditi Kosovën e më gjerë, po hetohet nga prokurorët e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, teksa detaje nga akti mizor po dalin nga momenti në moment.

Marigonës iu dha lamtumira e fundit dje më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt.