Krejt vëmendja te Bundesliga, pritet të ketë audiencë miliardëshe

Sytë e botës së sportit do të jenë kah Bundesliga e Gjermanisë në futboll këtë fundjavë pasi bëhet liga e parë e madhe që rifillon që nga pushimi i detyrueshëm shkaku i pandemisë COVID-19.

Por, pak ka ndryshuar në fushë, ku Bayern Muencheni do ta kërkojë titullin e tetë rresht, shkruan agjencia Reuters.

Liga e Futbollit Gjerman (DFL) ka vendosur javën e kaluar të rifillojë me ndeshjet në Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2 nga 16 maji pas një pezullimi dymujor. Skuadrat janë futur në një izolim shtatëditor pasi janë testuar për koronavirusin e ri.

Lideri Bayern Muencheni rinisë me një ndeshje si mysafir ndaj Union Berlinit të dielën, ndërsa Borussia Dortmundi, që zë vendin e dytë me katër pikë disavantazh, luan të shtunën ndaj Schalke 04.

“Bundesliga ka arritur të bëhet liga e parë e madhe në mbarë botën që rifillon. Dhe me Bundesligën si ligën e vetme të transmetuar në televizion, unë pres se do të kemi audiencë miliardëshe”, ka thënë shefi-ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, për “SportBild”.

Rregullat strikte shëndetësore nënkuptojnë se të gjitha ndeshjet do të luhen në stadiume pa shikues dhe vetëm me rreth 300 pjesëtarë total të stafit esencial.Lojtarëve i është thënë të mos pështyjnë, të mos festojnë në grup, e të mos shtrëngojnë duart me bashkëlojtarët, ndërsa disa klube do të përdorin muzika dhe tifozë nga kartoni për të përmirësuar atmosferën gjatë ndeshjeve.Liga është e vendosur ta përfundojë stinorin më 30 qershor për arsye kontraktuale dhe është e vetëdijshme për rreziqet për një pezullim tjetër nëse ka shumë raste me virus në mesin e lojtarëve.

Po ashtu ka paralajmëruar se shumë klubeve po i rrezikohet ekzistenca për shkak të pezullimit dhe se një pezullim tjetër do të kishte pasoja katastrofale si për ligën ashtu edhe klubet.Pezullimi ka lejuar golashënuesin më të mirë të ligës, Robert Lewandowskin, që të rikuperohet nga një lëndim i këmbës.Polaku është rikuperuar dhe do të shikojë të vazhdojë aty ku e ka lënë. Ai ka realizuar 25 gola në ligë dhe po e ndjek rekordin prej 40 golave për një stinor që i kishte shënuar legjendari Gerd Muller në vitin 1972.Borussia Dortmundi, me 51 pikë, një më tepër se RB Leipzigu, nuk ka hequr dorë nga titulli. Kampionatin do ta rifillojë pa kapitenin e lënduar Marco Reus.

E trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, po ashtu shpreson që të luftojë për titull deri në fund.

“Nëse Bayerni është në formën më të lartë atëherë titullin do ta vendos vet, veçanërisht kur ka një epërsi të tillë. Por, ne do të mundohemi të fitojmë nëntë ndeshjet e mbetura për të krijuar kushtet teorike për të përfunduar shumë lartë”, ka thënë Nagelsmann.

Borussia Moenchengladbachu zë vendin e katërt me 49 pikë, ndërsa Bayer Leverkuseni vendin e pestë me 47 pikë. Ato do të luftojnë për një vend në Ligën e Kampionëve stinorin e ardhshëm.Në fund të tabelës, aventura e Paderbornit në Bundesligë pritet të mbarojë pas vetëm një stinori, pasi zë vendin e fundit në renditje me 16 pikë. Është gjashtë pikë larg vendit që dërgon në barazh për mbijetesë, të cilin e mban Fortuna Duesseldorf.

Kampioni i vitit 2004, Werder Bremeni, zë vendin e 17-të me 18 pikë dhe duhet ta rrisë nivelin nëse dëshiron ta evitojë rrëzimin e dytë nga elita që nga viti 1980.Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, ka thënë se është për rifillimin e futbollit, por ai insiston se skuadrat duhet të ndjekin rregullat e njëjta si pjesa tjetër e popullatës në rast të infeksioneve. Seehofer po ashtu ka përkrahur rifillimin e ligës së tretë, por pak më vonë.