Krejt çka dihet për aksionin e djeshëm të Policisë në veri të Mitrovicës ku u zbuluan 3 laboratorë droge

Policia e Kosovës dje ka ndërmarrë një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar dy persona dhe janë zbuluar tri laboratorë të drogës.

Së pari, ministri Sveçla, postoi fotografi të laboratorëve dhe bëri të ditur se është arrestuar pronari i tij, derisa shtoi se bashkëpronari i laboratorit është personi që e ka sulmuar policinë e Kosovës muajin e kaluar.

“Bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij. Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vucic e Petkovic. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës më pas dha detaje për operacionin e koduar “Shpata”, i cili rezultoi me arrestimin e dy personave dhe zbulimin e tre laboratorëve të drogës.

“Gjatë realizimi të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre (3) laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojn dy (2) persona të dyshuar meshkuj serb, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren ne bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhej në komunikatë.

Më vonë u deklarua sërish ministri Sveçla. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se vlera e llogaritur e sasisë së lëndëve narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro.

Sveçla tha se të dyshuarit “paramilitarë e narkodilera” mbrohen, mbështeten dhe orkestrohen nga Vuçiq, Vuçeviq dhe Petkoviq.

“Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë Vuciq dhe pas tij ministri i mbrojtjes Vuceviq dhe Petkovic. Siç kemi thënë  barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës.  Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla ka publikuar edhe emrat e pronarëve të laboratorëve të drogës- Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic. Sipas tij, këta kanë marrë pjesë edhe në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Të njëjtit, sipas Sveçlës, janë vizituar nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë Milos Vucevic, nga Petkovic “ndërsa mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Milan Radojciq”.

“8 laboratorë droge janë shkatërruar brenda mandatit tonë, vetëm sot janë shkatërruar 3 sosh. Pronarët e tyre: Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta. Pas sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës këta janë vizituar nga Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Milos Vucevic, nga Petkovic ndërsa mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Milan Radojciq. Ministrat e Serbisë të përfshirë në këto instrumentalizime me banda kriminale sonte do të dëshironin mos të ekzistonin këto foto e video. Por ato ekzistojnë dhe janë dëshmi e fortë se çfarë fshihet pas “politikës” së tyre”, ka shkruar ai në Facebook.