Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë se SHBA-të janë të shqetësuara me disa zgjedhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti, duke pamundësuar që të arrijnë atë çka dëshirojnë për Kosovën.

Ai sot gjatë qëndrimit në Gjakovë ritheksoi përkushtimin e SHBA-ve ndaj popullit të Kosovës, i cili tha se është i fuqishëm dhe i hekurt.

“Do ta them atë që e kam thënë gjithmonë. Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë. Prandaj edhe jam sot këtu sot në Gjakovë. Por kjo nuk nënkupton që pajtohemi me çdo zgjidhje të bërë nga çdo qeveri e Kosovës. Dhe nuk është më sekret që qeveria ime bashkë me disa nga partnerët me të cilën punojmë, kemi disa shqetësime për disa zgjidhje politike të cilat i ka bërë Qeveria Kurti dhe të cilat e pamundësojnë atë çka dëshirojmë të arrijmë për Kosovën”. Ka thënë Hovenier, duke shtuar se shpreson që bashkëpunimi në të ardhmen të jetë sa më të ngushtë në mënyrë që kur të ketë çështje të vështira, të gjendet mundësi që të çohen përpara më lehtë”, u shpreh Hovenier.

Lidhur me këtë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se raportet e Kosovës me SHBA-të do të përmirësohen kur të largohet Qeveria Kurti.

“Raportet me ShBA-të përmirësohen kur shkon kjo qeveri, që i ka lënë pasoja të mëdha Kosovës”, shprehet ajo në një prononcim për GazetaBlic.

Sipas deputetes, Qeveria nuk është e interesuar të ketë raporte të mira me SHBA-të, duke shtuar se ajo është izoluar nga të gjithë partnerët.

“Ambasadori amerikan e ka thënë për sa herë këtë qëndrim të tyre, por kjo qeveri nuk është e interesuar që t’i ketë raportet e mira me ShBA-të. Është izoluar në tërësi nga të gjithë partnerët. Kjo situatë do të ndikojë shumë keq për të gjithë qytetarët dhe vet shtetin”, vlerëson Krasniqi.

Ajo potencon se qeveria është e izoluar dhe dështuar, duke shtuar se Kurtit si i tillë po i mjafton pushteti që ta përmbushë egon e tij dhe të dostave të tij.

“Jemi në masa të BE-së për herë të parë, kjo qeveri është e izoluar dhe e dështuar në çdo fushë. Kurti i izoluar, si duket po i mjafton pushteti për ta përmbushur egon e tij politike dhe të dostave të vet, për t’ju dhënë para nga buxheti  i shtetit”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.