Krasniqi: Qëndrojmë pranë familjeve të të zhdukurve nga lufta në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur ka thënë se aktualisht figurojnë si të zhdukur 1641 persona nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai shtoi se Serbia si shkaktare e zhdukjes së tyre, akoma nuk ka treguar për fatin e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur me dhunë, duke refuzuar ta përmbush këtë obligim legal, por para së gjithash human, njofton Klan Kosova.

“E prapa secilit prej tyre, janë familjet të cilat vuajnë nga ankthi dhe pasiguria e mosnjohjes së fatit dhe vendndodhjes së më të dashurve të tyre”.

“Çdo ditë, ato luftojnë me pasojat e shumta që krijon kjo situatë, përveç dhembjes së madhe që vetëm shtohet pa përgjigje”.

“Fatkeqësisht, Serbia, si shkaktare e zhdukjes së tyre, akoma nuk ka treguar për fatin e qytetarëve të Kosovës që janë zhdukur me dhunë, duke refuzuar ta përmbush këtë obligim legal, por para së gjithash human”.

“E drejta ndërkombëtare humanitare e kërkon këtë, Kosova e kërkon këtë, familjet e personave të zhdukur në vendin tonë e presin këtë”.

“Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur – qëndrojmë pranë familjeve kosovare që akoma presin një lajm për më të dashurit e tyre”.