Krasniqi për pezullimin e grevës: Për dallim prej kryeministrit Kurti që kërkonte tension e polarizim, tek mësimdhënësit mbizotëroi zëri i arsyes

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se pezullimi i grevës në arsim është dashur të shihet si gjest i vullnetit të mirë të mësimdhënësve për t’iu kthyer normalitetit.

Sipas tij, për dallim prej Kryeministrit Kurti që kërkonte tension e polarizim, tek mësimdhënësit mbizotëroi zëri i arsyes.

Postimi i plotë:

Pezullimi i grevës në arsim është dashur të shihet si gjest i vullnetit të mirë të mësimdhënësve për t’iu kthyer normalitetit. Për dallim prej Kryeministrit Kurti që kërkonte tension e polarizim, tek mësimdhënësit mbizotëroi zëri i arsyes. Interesin e nxënësve e vendosen mbi atë personal, përkundër fyerjeve e linçimeve që përjetuan çdo ditë. “Të jenë pjesë e konsultimeve substanciale për Projektligjin për Pagat”, ishte oferta që morën.

Ky gjest tregoi që sindikatat nuk e kishin personale. Por kryeministri dëshironte t’i shihte si të tilla. Se kërkesat për paga më të larta në kohë të inflacionit rekord, na qenkan mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve, shantazh ndaj shtetit, e tradhti ndaj kombit. Andaj një “disiplinim i mirë” duhet t’i ipet secilit që kërkon më shumë sesa që i ofrohet. Edhe qoftë duke u thirrur në zbatim të ligjit në mënyrë selektive vetëm për mësimdhënësit. Qartësisht masë diskriminuese për një grup, me karakter ndëshkues dhe kundërligjore.