Krasniqi para deputetëve: ShSKUK-ja asnjë ditë s’ka mbetur pa oksigjen

U.d i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi në Komisionin për Shëndetësi është përgjigjur interesimit të deputetëve për furnizimin me oksigjen

Ai ka thënë se muajin korrik kanë arritur të sigurojnë 20 mijë litra me oksigjen të lëngshëm nga kompania e kontraktuar.

“Gjatë muajit shtator kemi marr donacione me oksigjen. Kemi vizituar dhe bërë evidentim në disa spitale nëse ka humbje dhe kemi kërkuar shpenzim në mënyrë racionale”, tha ai.

Sipas tij, ShSKUK-ja asnjë ditë s’ka mbetur pa oksigjen dhe se kjo situatë do të përmirësohet.

Për situatën aktuale Krasnqi tha se gjendja momentale me oksigjen është stabile dhe se kanë marrë masat e duhura.

“Vështirësi ka pasur, por ne kemi marr të gjitha masat që të ketë furnizim me oksigjen”.

Sa i përket furnizimit me oksigjen nga kompanitë e palicencuara për spitalet rajonale ai nuk ka dhënë ndonjë informacion.

Ai tha se mbetet shqetësuese për ta vdekjet e qytetarëve nga Covid-19. Krasniqi ka thënë se nuk pajtohet që klinikat e ShSKUK-së janë bërë vatër e infeksionit.

Drejtori i ShSKUK-së ka thënë se ka vështirësi në furnizimin me barna. Ai thotë se ka vështirësi në furnizim nga kompanitë por jo për shkak të mosplanfikimit.

“Për të gjitha barnat anti-Covid kemi kontrata të nënshkruara”, tha ai.