Vizitë

Krasniqi në takim me presidentin Begaj vlerëson lartë angazhimin e Shqipërisë për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj të cilin e ka uruar për postin e presidentit, duke i ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të tij dhe të PDK-së në kultivimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përgëzuar Presidentin Begaj për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.

Presidenti Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lart angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euro-atlantike.

Gjithashtu, kryetari Memli Krasniqi ka falënderuar presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për dy liderët tanë historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, që nga shkuarja e tyre në Hagë.

Lideri i PDK-së ka falënderuar shtetin shqiptar për adresimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së për raportin e ish-senatorit Dick Marty.

Gjatë takimit me Presidentin Begaj, kryetari Memli Krasniqi tha se PDK si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, është duke punuar për të ndërtuar një vizion të ri për të ardhmen e vendit tonë, gjithmonë në aleancë të ngushtë më shtetin shqiptar dhe aleatët nga SHBA dhe vendet e BE-së.