Milazim Krasniqi

Krasniqi: Manovrat e KFOR-it me ushtarët serbë në kufi të Kosovës mesazh; paralajmërim për Kurtin

Profesori Milazim Krasniqi, ka shkruar në lidhje me manovrat e djeshme të KFOR-it dhe ushtarëve serbë, pikërisht me 17 shkurt.

Sipas tij, s’ishte rastësi. Ishte mesazh se nëse Kurti vazhdon me këto politika karshi ndërkombëtarëve, atëherë do të kemi autonomi territoriale në veri e fund politik të Albin Kurtit.

Postimi i plotë i tij:

Manovrat e përbashkëta të ushtarëve të KFOR-it me ushtarët serbë në kufi të Kosovës, më 17 shkurt, nuk janë pjesëmarrje në festime për ditën e pavarësisë. AS KFOR as Serbia nuk e njohin Kosovën si shtet. As rastësi nuk janë. Janë mesazh.

Nuk jam parashikues, ama analiza më bën të kuptojë se nëse Kurti e vazhdon konfliktin me SHBA e me BE-në, manovrat e KFOR-it me ushtrinë serbe në kufi, zëvendësohen me futjen e ushtrisë serbe brenda territorit të Kosovës. Si minimum, për ta paraqitur të dështuar qeverinë e Kosovës.

(KFOR-i futet në kazerma, siç ka pasur raste.) Në atë rast do të ndodhnin dy gjëra: e para, autonomia e veriut-federalizimi i Kosovës dhe e dyta, fundi politik i Albin Kurtit. Nuk arrij ta kuptoj pse Kurti i provokon këto dy bela, pa pasë pikë nevoje. Pa ndihmën e SHBA-së Kosova nuk mbijeton si shtet, pa partneritet me SHBA nuk mbijeton në Prishtinë asnjë qeveri.