Krasniqi: Ligji për Sponsorizime s’duhet të politizohet, sportistët po na përfaqësojnë më së miri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet amandamenti për sponzorizimin e sportit.

Krasniqi në këtë seancë tha se tema e cila po diskutohet është temë urgjente në vend.

“Më vjen mirë që po mblidhemi edhe njëherë për një temë shuëm të rëndësishme. Ne e kemi ftuar seancën duke besuar se kjo është një temë urgjente. Ma mer mendja që njerëzit që janë duke e pritur më shumë këtë amandament ose ligj e dijnë më së miri historinë e tij”, tha Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi theksoi se Ligji aktual nuk është zbatuar nga ATK-ja.

“Ligji për Sponzorizime nuk është zbatuar asnjëherë, për shkak se ATK-ja nuk e ka bërë një gjë të tillë. Sidoqoftë sot po e ndryshojmë ligjin bazik. Amandamenti e fuqizon Ligjin për Sponzorizime”, theksoi tutje Krasniqi.

Ai tha se me propozimin aktual nuk do të humben mjete nga shteti, ngase investimi në sport sipas tij është fitim për shtetin.

“Sot ne kemi ligj në fuqi, dhe sipas këtij aktual në fuqi, i mundësohet bizneseve me investu deri në 200 milionë euro në sport. Sot me qenë se bizneset kishin investu, ata kishin investu 200 milionë euro, mirëpo as 1% e kësaj shume nuk është investuar”, tha ai.

Sipas Krasniqit, deputetët e kanë borgj t’ua japin këtë mundësi koorporatave që të investojnë në sport, art e kulturë.

“Kjo çështje nuk duhet të politizohet. Ishte dashur të pajtohemi se këta njerëz janë ata që po na përfaqësojnë më së miri”, tha në fund ai.