Krasniqi jep sinjale prej kampioni: Prishtina si me ndryshime si pa ndryshime gjithmonë lufton për trofe

Futbollistit më të mirë në Kosovë, Endrit Krasniqit iu janë dashur vetëm 90 minutat e parë të edicionit të ri 2022/23 për të dhënë sinjale se Prishtina është skuadër e madhe dhe pavarësisht ndryshimeve të shumta që kanë bërë do të jenë në luftë për majat e futbollit tonë.

Ai përveç formës shumë të mirë që tregoi në fushë, ishte spektakolar edhe të goli i parë kur “bombardoi” portën e Dukagjinit nga distanca, gjë e cila dëshmon se është në formën të mirë, ashtu siç ishte vitin e kaluar kur edhe e fitoi epitetin e futbollistit më të mirë në Kosovë nga FFK-ja.

Fantazisti i skuadrës së Ismet Munishit në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se është i lumtur me fitoren e parë, por ky ekip mund të bëjë gjëra edhe më të bukura në fushë. Sipas tij skuadra bardhekaltër gjithmonë është në luftë për trofe dhe përkundër ndryshimeve të mëdha, objektivi kryesor mbetet titulli.

“Prishtina si me ndryshime si pa ndryshime gjithmonë lufton për trofe  sepse edhe është klubi më i trofeshëm i vendit

Unë personalisht shpresoj të ndihmoj ekipin ne synimet  që i ka klubi gjithmonë, duke bërë më të mirën që të arrij edhe synimet personale”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sa i përket ndeshjes së parë, Prishtina në pjesën e parë zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, ndërsa në të dytën sikur deshi të menaxhojë rezultatin e 45 minutave të parë, megjithatë duhet pranuar që u panë shumë elemente pozitive. Kështu vlerëson edhe Endriti që beson se në vazhdim ekipi do të tregojë gjëra edhe më të bukura në fushë.

“Mendoj  se ka pasur shumë gjëra pozitive dhe shumë ndryshime për të mirë te ekipi, por gjithmonë ka vend për përmirësime. Shpresojmë që ndeshje pas ndeshje të përmirësojmë gabimet dhe të arrijmë objektivin që kemi”, përfundoj Endrit Krasniqi.

“Plisat” duhet të presin edhe një javë tjetër për ta parë përformancën e Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” pasi edhe ndeshjen e dytë e luan si mysafirë ku ndeshet me Ferizaj. /Demokracia.com