KQZ nuk regjistron Berishën në zgjedhje, LSI në zgjedhje me Nard Ndokën

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane do të shkojnë si koalicion në zgjedhjet e 6 marsit ndërsa Komisioni i Rithemelimit do të mbetet jashtë kësaj aleance.

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi deklaroi se është vendosur pranimi i pjesshëm i kërkesës së depozituar nga këto forca politike. Ndalur te lëvizja e drejtuar nga Berisha, Celibashi theksoi se ajo përmban simbole të ngjashme me Partinë Demokratike dhe kjo mund të krijojë konfuzion te zgjedhësit.

Debati i plotë

Marash Logu: Pasi u njohëm me kërkesën e LSI dhe pas një shqyrtimi të kujdesshëm vlerësojmë se kjo kërkesë përmban dy elemente që e pamundësojnë regjistrimin e këtij koalicioni zgjedhor. Kjo është një kërkesë minimale për legjitimin për kërkesën e një apo më shumë partive për regjistrim si koalicion. Në fakt kërkesa e LSI është depozituar në datën 31 Janar kur vetë LSI nuk e kishte fituar cilësinë e të qenurit subjekt zgjedhor. Risjell në vëmendjen tuaj se LSI është regjistruar si subjekt zgjedhor dy ditë pasi kishte paraqitur kërkesën për regjistrim. PDK dhe LSI janë regjistruar si subjekte përpara se të sillnin kërkesën e tyre. Unë mendoj se neni 65 i kodit zgjedhor dhe neni 2 e ndalojnë këtë gjë. Do ishim në shkelje të Ligjit nëse do procedonim me këtë kërkesë. Partitë politike janë regjistruar në datën 2 shkurt. Dje ka qenë afati deri në 12 që çdo kërkesë të depozitohej për regjistrim. Dje nuk ka pasur asnjë kërkesë për regjistrim koalicion. Çdo kërkesë në një afat tjetër kanë mungesë legjitimiteti dhe janë jashtë afateve proceduriale.

Këto kërkesa duhen rrëzuar dhe nuk duhen pranuar. Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë kërkesë për regjistrimin e koalicionit zgjedhor. Nga leximi që i bëjmë kërkesës dhe marrëveshjes në fjalë citohet emir i koalicionit Shtëpia e Lirisë në faqen e parë. Në faqen e dytë thuhet se partitë përbërëse janë LSI, PD Komisioni i Rithemelimit dhe Partia Demokristiane. Drejtues është Partia Demokratike e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Cilat janë kërkesat ligjore në nenin 65 sa i përket përmbajtjes së një marrëveshje koalicioni. Në emër të PD si është bërë me dije përmes shkresës është e qartë se kryetari i PD dhe i vetmi person për të paraqitur kërkesa për koalicion është Lulzim Basha. Nga ana e Partisë Demokratike nuk ka pasur asnjë kërkesë për të qenë pjesëmarrës, drejtues në një koalicion zgjedhor cilido qoftë ai. Çdo referencë ndaj Partisë Demokratike është në kundërshtim me kodin zgjedhor. Ka elemente paligjshmërie. Nuk rezulton as nga regjistri i partive politike dhe as pranë KQZ që të kemi një subjekt zgjedhor që të quhet Partia Demokratike, Komisioni i Rithemelimit. Referenca i bëhet Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën. As Basha dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë shprehur vullnet për t’u regjistruar si koalicion. Ne kërkojmë që kjo kërkesë të rrëzohet duke garantuar që ky proces të nënshtrohet vetëm ligjit.

Altin Kaziaj: Logu flet për dispozita ligjore. Ligjvënësi i ka përcaktuar qartë. Direktivat politike nuk kanë të bëjnë me akte të karakterit të procedurës dhe ligjit. Afatet nuk qëndrojnë. Faktet tregojnë ndryshe. Nuk mund t’u tregojmë shqiptarëve që në një vend me 1000 karrige të fusim 5000 qytetarë. Ligjin duhet ta lexoni sipas ligjvënësit dhe jo sipas interesave politike. Sa i përket kërkesës sonë është në përputhje të plotë me parashikimet e Kodit zgjedhor. Për nevoja të zbatimit të këtij ligji. Sipas kërkesës së bërë në 31 Janar LSI si udhëheqëse e koalicionit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet. Marrëveshja në preambulën e saj të ka të qartë pse është krijuar koalicioni. E sjell në vëmendje të Logut që deklaratat e këtij karakteri ka një interes partia e tij.

Ilirjan Celibashi: Për të qenë racional dhe për ta përdorur këtë sallë në përputhje me qëllimin e saj kërkoj të qëndrojmë te karakteri juridik.

Marash Logu: Në këtë sallë duhet të sillemi si jemi. Nuk i bën nder as zotit Kaziaj të mbetemi me numërim karrigesh. Ky lloj diskutimi nga ana ime nuk do ekzistojë. Do i referohem vetëm ligjit. Në momentin kur është paraqitur kërkesa për regjistrimin e këtij koalicioni ata që duan të jenë pjesë e këtij koalicioni nuk kishin përfituar ende statusin e subjektit zgjedhor. Nëse nuk do regjistroheshin do kishim një kërkesë absurde. Partitë që kanë paraqitur kërkesën nuk ishin njohur si subjekte zgjedhore. Sillni një kërkesë që kjo parti është subjekt më vete. T’i lëmë deklaratat politike. I zotërojnë më mirë ata që përfaqësojnë politikisht subjektet përkatëse.

Altin Kaziaj: Nuk ka si të dakordësohem me atë që thotë Logu. Nuk merret parasysh ajo që thoni. Jemi përfaqësues të subjekteve politike. Po bëni debatin e fokusuar duke u kapur te sigla dhe shkronjat nistore të një subjekti që ne kemi në marrëdhënie koalicioni. Duhet të prisni regjistrimin e siglave për të thënë kundërshtimet që keni ju. Kemi pot ë njëjtin kod zgjedhor të ndryshuar ku janë futur edhe figurat e reja.

Ilirjan Celibashi: Secili prej jush dha mjaftueshëm argumente. Vlerësimi i KQZ është si vijon. Ne konsiderojmë që duke arsyetuar edhe pretendimet e përfaqësuesit të PD për legjitimitetin e kërkesës në raport me afatin. Këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot. LSI figuron të jetë e regjistruar si subjekt zgjedhor. Nuk mund të them që pretendimi i PD ishte alogjik por si pretendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke shqyrtuar një kërkesë të rikonfirmuar nga LSI të interes të tyre për një koalicion zgjedhor në këto zgjedhje. Ndaj vlerësoj që kërkesa e subjektit zgjedhor LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion me subjektin zgjedhor që ajo ka zgjedhur në vlerësimin tim ka legjitimitet të plotë.

Lidhur me pjesën material mendoj që ai pretendim qëndron sa i përket disa aspekteve identififikuese dhe zgjedhore. Nuk qëndron kërkesa nga ana e PD për ta kthyer për plotësim. Do ishim në këtë situatë nëse do kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. I kemi të gjitha elementët për të regjistruar një parti politike. Kemi edhe diçka më shumë që vlerësojmë sit ë panevojshme. Kërkesa në përbërje të saj për disa aspekte të saj reflekton konfliktualitet me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Kërkesa për të përfshirë në simbole, sigla apo edhe në thelbin e vet element që lidhen me PD nuk mund të pranohen. Jo vetëm për faktin që i mungon interesi PD për këtë koalicion. Ajo që vlen më shumë është diskutimi për simbolet që mund të krijojmë konfuzion te zgjedhësit. Unë vendos që të regjistroj si subjekt zgjedhor koalicionin LSI-PSD. Emri është shtëpia e Lirisë. Partia udhëheqëse është LSI. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe kundër Këtij vendimi mund të bëhet ankimim brenda 24 orëve.