KQZ-ja vazhdon të jetë në pritje të aplikimeve të vëzhguesve për zgjedhjet në veri.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një deklaratë për Koha.net thotë se afati i fundit për aplikim është më 12 maj, të dielën.

“Vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor pasi do të ndikonte në rritjen e besueshmërinë e qytetarëve për një proces zgjedhor, prandaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithmonë fton dhe mirëpret vëzhgimin e zgjedhjeve. Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditim të vëzhguesve përfundon më 12 maj dhe deri në këtë datë kërkesën për akreditim mund ta dorëzojnë: Subjektet politike të certifikuara; OJQ-të; Organizatat Qeveritare dhe Ndërqeveritare; Organizatat Ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Përfaqësuesit e vendeve të huaja; dhe Mediat”, thotë Elezi.

Ai shtoi se vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë këto zgjedhje.

Kujtojmë se KQZ-ja është përgatitur thuajse plotësisht deri tani, për zgjedhjet që do të mbahen më 19 maj në katër komunat veriore. KQZ-ja ka miratuar dizajnin, sloganin“Vota juaj. Ardhmëria juaj”, përmbajtjen e edhe formatin e fletëvotimeve.