KQZ

KQZ: I kemi dërguar shkresë Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarëve në KKZ-të në Veri

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në mbledhjen e sotme të KQZ-së ka thënë se u kanë dërguar shkresa Listës Serbe dhe GISPO për zëvendësimin e anëtarëve të KKZ’në në komunat në Veri, pasi ish- anëtarët dhanë dorëheqje.

“Më 7 dhe 8 prill kemi pranuar dorëheqjet e anëtarëve të KKZ-ve të përfaqësuesve nga Lista Serbe në katër komuna dhe përfaqësuesi i KKZ-së nga GISPO në komunën e Mitrovicës së Veriut. Lidhur me këtë Sekretariati ka dërguar shkresën dy subjekteve për zëvendësimin e anëtarëve të KKZ në këto komuna. Shkresa është dërguar sot dhe afati për zëvendësimin e anëtarëve në këto komuna është data 11 prill deri në orën 16:00”, tha Ahmetaj.

Dje zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, e ka konfirmuar që anëtarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga KKZ’të në veri.

“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare.  Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.