KQZ gati për zgjedhje në Podujevë, kandidatët: Të mbahen në qershor ose korrik

Për shkak të situatës me koronavirus, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë janë shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndonëse ishte planifikuar që zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës të mbaheshin më 15 mars të këtij viti, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të evidentimit të rasteve të para me koronavirus në vendin tonë.

Duke e parë rrezikun që mund të ketë përhapja e koronavirusit nëse mbaheshin zgjedhjet, presidenti i vendit, Hashim Thaçi më 14 mars kishte marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur për lajmi.net, se që nga shtyrja e këtyre zgjedhjeve, ky organ kishte marrë vendim për ndërprerjen e zbatimit të planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve

“Më 14 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar nga Presidenti i Republikës shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës për shkak se në të njëjtën ditë kemi pranuar rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të pezullohen përkohësisht zgjedhjet e 15 marsit në këtë komunë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Republikën e Kosovës. Menjëherë pas vendimit të Presidentit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për ndërprerjen e zbatimit të planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, theksoi Elezi.

Sipas tij, edhe pse nuk dihet ende se kur mund të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, KQZ-ja është e gatshme për mbajtjen e tyre.

“Prandaj, edhe tani lidhur me mundësinë e organizimit të këtyre zgjedhjeve, mund të them se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm kushtetues që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që i kërkohet. Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, theksoi Elezi për lajmi.net.

Në anën tjetër janë tre kandidatë që garojnë për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës si dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lajmi.net, ka kontaktuar me të tre kandidatët duke i pyetur se kur mendoni se është koha e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve pasi që tashmë situata me koronavirus është përmirësuar dukshëm, ata kanë thënë se mesi i muajit qershor dhe fillimi i muajit korrik do të ishin muajt ideal për mbajtjen e zgjedhjeve.

Naim Fetahu, kandidat i PDK-së për kryetar të Podujevës, ka thënë për lajmi.net, se anulimi i zgjedhjeve ishte vendim i duhur, por që sipas tij, data e zgjedhjeve duhet të vendoset në një moment të përshtatshëm ku nuk rrezikohet shëndeti i qytetarëve.

Ai ka thënë se fundi i muajit qershor apo fillimi i muajit korrik do të ishte një mundësi reale për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Së pari, ka qenë vendim i mirë që të anulohen zgjedhjet në Podujevë për shkak të rrezikimit të qytetarëve nga virusi. Këtë po e dëshmojnë edhe rastet e pakta në komunën e Podujevës gjatë kësaj kohe. Ndërkohë, sa i përket zgjedhjeve të reja dhe nevojës për fushatë, unë mendoj që secili vendim që do të merret nga KQZ-ja duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e organeve kompetente të shëndetësisë. Data e zgjedhjeve duhet të vendoset në një moment të përshtatshëm që nuk rrezikon shëndetin e qytetarëve. Mendoj që fundi i qershorit apo fillimi i korrikut do të ishte një mundësi reale nëse rastet vazhdojnë të bijenë kështu. Ndërkohë, sa i përket fushatës, edhe nëse vendoset që të ketë përsëri fushatë, nuk mendoj se ajo duhet të jetë më e gjatë se një javë. Gjithsesi, këto do t’i vendosë KQZ-ja dhe unë do të pajtohem me të gjitha vendimet e tyre”, është shprehur Fetahu.

Ndërkaq, kandidati i LDK-së për të parin e Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë për lajmi.net, se kurdo që merret vendim për mbajtjen e zgjedhjeve ai është i gatshëm.

“Unë mendoj që kurdo herë që rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të Ministrisë së Shëndetësisë janë që nuk jemi më të rrezikuar të kërcënuar prej koronavirusit, unë jam i gatshëm kurdo që ndodh kjo. Por nuk mund të supozojë ose të hamendësoj kur mundet kjo me ndodhë sepse është vendim që e merr KQZ-ja në bazë të rekomandimeve të këtyre institucioneve që i përmenda më lartë edhe vendimit të presidentit”, theksoi Rudari.

E kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetra të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për lajmi.net ka thënë se sipas tij,  koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve do të ishte mesi i muajit qershor.

“Unë mendoj që në bazë të asaj që në realitet po duket nga terreni me gjendjen me pandeminë ne shpresojmë që si komunë jemi relativisht mirë, qëndrojmë mirë në kuptim të numrit të të infektuarve, dhe e dimë që deri tash i kemi pasur diku 11 të infektuar dhe aktualisht nuk kemi asnjë i cili është i prekur. Prandaj duke e marrë parasysh edhe gjendjen e përgjithshme të përmirësimit të që po shkon në Kosovë, po shpresojmë që ndoshta koha optimale do të kishe me qenë mesi i qershorit maksimalisht që të organizohen këto zgjedhje. Por sigurisht që fjalën e fundit duhet ta thonë organet profesionale Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe në fund të merret vendimi se kur është koha optimale për mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Bulliqi për lajmi.net.

Theksojmë se deri te shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë kishte ardhur pas formimit të qeverisë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo pasi që LDK-ja Agim Veliun e kishte emëruar ministër të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe në këtë mënyrë, Podujeva mbeti pa kryetar dhe shkoi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Mirëpo, Agim Veliu pas pak kohësh u shkarkua nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, shkarkim ky që bëri edhe prishjen e koalicionit qeverisës dhe bëri rrëzimin e Qeverisë, pasi që LVV-ja e kishte shkelur marrëveshjen e koalicionit me rrëzimin e Veliut duke mos e njoftuar paraprakisht LDK-në për shkarkimin e tij.

Aktualisht nënkryetar i Komunës së Podujevës është Nexhmi Rudari, i cili edhe është kandidat për të parin e kësaj komune nga radhët e LDK-së.