Kanë mbetur vetëm edhe 12 orë kohë, por ende asnjë koalicion nuk është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ani pse dy koalicione janë arritur deri tani, koalicioni i parë mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate dhe i dyti mes Nismës së Fatmir Limajt dhe AKR-së së Behgjet Pacollit, këto dy koalicione nuk janë regjistruar deri tani në KQZ.
Akoma nuk është regjistruar as koalicioni i mundshëm e i shumë përfolur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, anipse nuk ka ende diçka zyrtare për arritjen e këtij koalcioni
“Deri më tani (11:42) nuk kemi pranuar asnjë deklarim të partive politike për koalicion. Ashtu siç kemi njoftuar, ky afat përmbyllet sonte, në orën 24:00”, tha për Ballkani.info zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tutje shtoi se ky afat është vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nuk mund të shtyhet as edhe me kërkesën e partive politike. Ndërsa afati i fundit për dorëzimin e listave të partive politike me emrat e kandidatëve për deputetë, sipas Elezit, është 6 shtatori, do të thotë një muaj para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. /Ballkani.info/







