Kovac thotë se Ribery e meritoi golin si shpërblim për paraqitjen e tij
Trajneri i Bayernit, Niko Kovac ishte shumë i lumtur me performancën e skuadrës mbrëmë në fitoren 5-1 me Benficën, ndërsa kishte lëvdata për veteranin Franck Ribery që e realizoi golin e parë të sezonit.
Bayerni ka siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të Champions Leagues gjersa do të diskutojë vendin e parë me Ajaxin në ndeshjen e fundit të grupit që zhvillohet në Amsterdam pas dy javësh.
Lewandowski dhe Robben shënuan dy golësha ndërsa sipas Kovac, Ribery u shpërblye me golin pas qasjes së tij altruiste.
“Ribery më në fund arriti ta shpërblejë veten. Ai punon shumë në fushë dhe i afron bashkëlojtarët te rastet. Ndaj Benficës shënoi duke e merituar. Mbrotja kishte paraqitje të mirë ndërsa në sulm i shfrytëzuam rastet tona. Arritëm të bëjmë ndeshje të nivelit të lartë për 90 minuta”, nënvizoi Kovac.
Bavarezët në Bundesliga kanë mbetur 9 pikë prapa liderit, Borussia Dortmund, teksa fundjavën e kaluar u ndalën në barazim 3-3 me Fortuna Dusseldorfin në “Allianz Arena”.