Trajneri i Bayernit, Niko Kovac, pozita e të cilit është gjithashtu në rrezik pas rezultateve negative te bavarezët, ka thënë se shpreson që mos të ketë më shkarkime të trajnerëve pas largimit të Jose Mourinhos nga stoli i Manchester Unitedit.

Distanca prej 19 pikëve me liderin e Premier Leagues, Liverpoolin dhe humbja e fundit pikërisht ndaj “The Reds” sosën durimin e drejtuesve të “Djajve të Kuq”, të cilët shkarkuan trajnerin portugez pas dy viteve e gjysmë të kaluara në “Old Trafford”.

Kampionët e Gjermanisë kanë mbetur 9 pikë prapa kryesuesit të Bundesligës, Borussia Dortmundit, me Kovac që është përballur me presion të madh lidhur me mbajtjen e detyrës së tij te Bayerni, teksa ka shprehur keqardhjen e tij për shkarkimin e Mourinhos.

“Dua të them vetëm se ndihem keq për secilin trajner që shkarkohet. Ndjej me të dhe dëshira ime më e madhe është që asnjë trajner mos të shkarkohet më”, theksoi trajneri kroat.

Bayerni aktualisht ndodhet në vendin e 3-të në Bundesliga pas 15 xhirove të zhvilluara, kurse do ta ketë mundësinë që të ngushtojë distancën me Dortmundin në 6 pikë, nëse triumfon sonte në shtëpi përballë Leipzigut.