Trajneri i Bayernit, Niko Kovac mohoi pretendimet se ka presion para përballjes së parë direkte me Borussia Dortmundin.
Starti i sezonit për bavarezët ishte shumë pozitiv por një seri prej 4 ndeshjeve pa fitore në të gjitha kompeticionet lëkundi pozitat e trajnerit kroat në stolin e kampionëve të Gjermanisë.
Sidoqoftë Bayerni është rikthyer te fitoret teksa numëron 5 të tilla në 6 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.
Kovac ishte i qetë në konferencën për shtyp teksa mori mbështetjen e presidentit Uli Hoeness.
“E di se çështja e presionit është interesante për mediat por unë sinqerisht nuk ndiej diçka të tillë. Para dy viteve e gjysmë isha në Frankfurt dhe ne e kishim ndeshjen për mbijetesë, njerëzit mund t’i humbnin punët e tyre, këtë e quaj presionin unë. Unë do të kënaqem me intensitetin e kësaj përballjeje por frikë apo presion nuk kam. Kjo është pjesë e lojës që unë e kam zgjedhur”, u shpreh Kovac.
Trajneri kroat tutje pati lëvdata për Dortmundin duke thënë se “milionerët” nuk kanë shumë pika të dobëta, ndërsa shtoi se Bayerni do ta aplikojë mënyrën e vet të lojës.
Hoeness deklaroi se Niko Kovac e ka besimin e drejtuesve të Bayernit ndërsa theksoi se kroati nuk do të shkarkohet edhe nëse bavarezët nuk shpallën kampion të Bundesligës.







