Trajneri kroat

Kovac konfirmon lëndimin e rëndë të Thiago Alcantaras

Thiago Alcantara ka pasur dhimbje të mëdha pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë që Bayerni e fitoi 1-2 ndaj Rodinghausen, ka konfirmuar trajneri i skuadrës, Niko Kovac.

Mesfushori spanjoll u zëvendësua në minutën e 75-të nga Gnabry pas ndërhyrjes së rëndë të futbollistit Bjorn Schlottke që aktivizohet te skuadra e kategorisë së katërt të futbollit gjerman, Rodinghausen.

Kovac ka konfirmuar se Alcantara ka nevojë për teste të detajizuara me kyçin e këmbës që duket të jetë problemi kryesor i lëndimit.

“Ai ka shumë dhimbje, por do të presim dhe shohim se si do të dalin ekzaminimet e ditës së mërkurë”, u shpreh shkurt Kovac.

Një fotografi e Alcantara u publikua pas ndeshjes teksa ish lojtari i Barcelonës shihej me paterica, gjersa edhe drejtori sportiv, Hasan Salihamdzic tregoi se gjendja e tij nuk duket e mirë.

Golat e Thomas Muller dhe Sandro Wagner i dhanë kualifikimin Bayernit për në turin tjetër në DFB Pokal ndërsa të shtunën përballen me Freiburgun në kampionat.