Kovac kërkon më shumë gola nga Bayerni

Trajneri i Bayernit, Niko Kovac ka qenë i kënaqur me reagimin e skuadrës pas disa rezultateve negative rradhazi, por megjithatë kërkon më shumë gola nga lojtarët e tij.

Kovac ishte nën presion të madh pas 4 ndeshjeve pa fitore në të gjitha kompeticionet në muajin shtator por tre triumfet e fundit rradhazi kanë qetësuar situatën e 47 vjeçarit në stolin e Bayernit.

“Ne jemi rikthyer në formë, por gjithashtu duam t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme. Kam parë shumë gjëra pozitive në fundjavë, por duhet të shënojmë më shumë gola. Në ndeshjet e para sezonale secila goditje ishte gol, më nuk është ashtu. Në tre ndeshjet e fundit kemi pasur paraqitje me shumë koncentrim”, tha Kovac.

Bavarezët udhëtojnë te klubi nga liga e katërt e futbollit gjerman, Rodinghausen, teksa Kovac nuk do të ketë të gatshëm për këtë përballje James Rodriguezin, Jerome Boatengun dhe Arjen Robbenin, ndërsa trajneri kroat theksoi se nuk do ta nënvlerësojnë kundërshtarin dhe se qëllimi i Bayernit është të kualifikohet për në rundin e ardhshëm.