Trajneri i Bayern Munichut, Niko Kovac, është detyruar të kërkojë falje ndaj trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, pasi kishte deklaruar publikisht se beson se Bayerni do ta blejë Leroy Sanen.

Kampioni i Bundesligës nuk e ka mbajtur aspak sekrete dëshirën për ta sjellë 23-vjeçarin në “Allianz Arena”, pasi ai u duk se nuk ishte i dëshiruar më në “Etihad Stadium” në fund të sezonit të kaluar.

Edhe pse 90 milionë funtet që Manchester City i kërkon për gjermanin fillimisht e larguan Bayernin, Kovaci së fundi sugjeroi se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti: “Kam shumë besim. Parashikoj se do ta mbyllim këtë punë”.

Drejtori ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, megjithatë, bëri të ditur se nuk është i lumtur aspak me komentet e trajnerit, duke thënë: “Nuk më pëlqeu ajo që ai e tha”.

Ky mesazh ndikoi menjëherë te Kovaci dhe, pas fitores 6-1 kundër Fenerhabces në gjysmëfinale të Audi Cup, tha se kishte folur me Pep Guardiolën dhe i kishte kërkuar falje që kishte folur publikisht për lojtarin e tij.

“Ne [Bayerni dhe Kovaci] folëm për këtë çështje. Ndoshta isha tepër ofendues në atë intervistë. Unë bisedova me Pepin dhe i kërkova falje për atë gjë”, tha Kovaci në një intervistë të dhënë për ZDF.

“Do të doja t’i kërkoj falje edhe klubit, gjithashtu. Do të përmbahem të mos flas për çështje të tilla në të ardhmen”.