Trajneri kroat

Kovac harron se Cristiano Ronaldo është transferuar te Juventusi

Trajneri i Bayernit, Niko Kovac, foli për rëndësinë e individualiteteve në një skuadër futbolli, teksa bëri edhe një lapsus të momentit, që e rregulloi aty për aty, kur iu referua Cristiano Ronaldos si pjesë e Real Madridit, edhe pse ylli portugez është te bardhezinjtë kampionë të Italisë nga vera e vitit të kaluar.

“Te Barça, të gjithë ia japin topin Messit, ndërsa tek Real Madridi e adresojnë atë te Cristiano…”, – u shpreh trajneri kroat, i cili e kuptoi se gaboi dhe e rregulloi shpejt fjalinë, në rastin e luzitanit.

Kujtojmë se Bayerni do të synojë të kthehet te fitoja në Bundesligë, të shtunën, kur të përballet me Schalke në “Allianz Arena”. “Die Roten” pësuan javën e kaluar humbjen e parë në elitën e futbollit gjerman, në tetë ndeshjet e fundit, duke u ndëshkuar me tre gola.

Kolapsi i bavarezëve në pjesën e dytë i lejoi Bayer Leverkusenit të pretendonte e të merrte tri pikët.

Gjigantët gjermanë janë tani në vendin e tretë të renditjes së Bundesligës, me shtatë pikë prapa liderit, Borussia Dortmund.

Një “fotografi”, që e vetëdijëson Niko Kovac, se ekipi i tij nuk mund të bëjë më asnjë hap fals, nëse e sfidojnë seriozisht titullin. Trajneri kroat shpreson në reagimin e të tijve, ndërsa pritet të bëjë disa ndryshime në formacion për sfidën e kësaj të shtune.