Mbrojtësi senegalez

Koulibaly dëshiron triumfin në Europa League pas eliminimit nga Championsi

Pas humbjes së Napolit mbrëmë në “Anfield” ndaj Liverpoolit, mbrojtësi i napolitanëve, Kalidou Koulibaly ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të fitojnë Europa Leaguen pas eliminimit nga Champions League.

Nënkampionët e Italisë e përmbyllën grupin C në pozitën e tretë me 9 pikë të tubuara, ndërsa Koulibaly e sheh Napolin si favorit për t’i shkuar deri në fund Europa Leagues.

“Ne ishim shumë afër kualifikimit. Kur u hodh shorti i grupeve shumë njerëz na konsideruan të eliminuar prej fillimit. Jemi shumë të mërzitur sepse kemi pasur mundësi t’i befasojmë të gjithë por nuk ia arritëm. Ne kemi një skuadër të mirë dhe jam i bindur se mund të bëjmë gjëra të mira këtë sezon. Duhet të japim maksimumin për të mbërrtiur sa më larg të jetë e mundur në Europa League dhe të tentojmë ta fitojmë atë. Jemi të vetëdijshëm se nuk është e lehtë sepse jemi edhe favorit por edhe për shkak se ka shumë skuadra të forta”, theksoi Koulibaly.

Shorti për fazën me eliminim direkt të Champions dhe Europa Leagues do të hidhet të hënën me 17 dhjetor.