KOSTT: Kosova vazhdon ta furnizojë veriun me rrymë

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), i ka mohuar pretendimet e zyrtarëve serbë se komunat me shumicë serbe në veri, si Mitrovica Veriore, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku janë furnizuar direkt me energji elektrike nga Serbia deri në fund të vitit 2020.

Këtë pretendim e bëri të mërkurën më 24 nëntor zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Miniera dhe Energji në Qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviq, pasi KOSTT-i më 23 nëntor njoftoi Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, se më 16 nëntor ka ndërprerë pagesën për energjinë që shpenzohet në komunat veriore.

KOSTT-i është kompani publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore. Të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Kosovës.

Mihajloviq pretendon se furnizimi i këtyre komunave është bërë direkt nga Serbia deri në dhjetor të vitit 2020. Në këtë kohë është pavarësuar sistemi energjetik i Kosovës, duke u larguar nga Blloku SMM (Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi) dhe duke u bërë pjesë e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

“Borxhi prej 17 milionë eurosh që ka raportuar KOSTT-i deri në dhjetor 2020 është gënjeshtër, sepse deri në dhjetor furnizimi i veriut ka shkuar direkt nga Serbia”, ka shtuar Mihajloviq.

Kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, më 23 nëntor, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Ekonomi tha se për pagesën e energjisë elektrike për komunat në veri, nga 2017-a e deri tash shuma totale është 27 milionë e 806 mijë euro dhe se prej tyre mbi 17 milionë janë paguar nga KOSST-i.

Megjithatë, zyrtarët e KOSTT-it, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kanë konfirmuar se furnizimi i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri të Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme është bërë nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji(ZRRE).

“Deri më 14 dhjetor 2020 kur KOSTT-i ka funksionuar në kuadër të Bllokut SMM, raportet ditore të nominimeve të energjisë elektrike nga palët tregtare dhe nga furnizuesit në KOSTT dhe të raportuara nga Blloku SMM (Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi), dëshmojnë se veriu i Kosovës nuk është furnizuar nga Serbia”, thotë KOSTT-i.

Borxhi i veriut – me miliona

Furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore është një problem i pazgjidhur që prej vitit 1999.

Që nga kjo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk kanë paguar për energjinë elektrike që e kanë shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Një kohë, mjetet për të mbuluar energjinë e shpenzuar në veri, KOSTT-i e ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike. Për rrymën e shpenzuar në atë pjesë, nga viti 1999 deri në vitin 2017, janë faturuar për 3.5 për qind më të shtrenjta faturat e qytetarëve në pjesë tjera të Kosovës. Fatura e përbashkët llogaritej deri në 12 milionë euro në vit.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 vendosi që kjo praktikë të pezullohej.

Mbulimi i humbjeve nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore iu dha si përgjegjësi KOSTT-it.

KOSTT-i kishte thënë më herët këtë vit se që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë së shpenzuar në atë pjesë të Kosovës.

Qeveria nuk arriti të gjejë zgjidhje

Në fillim të muajit maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me kërkesën e KOSTT-it, për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat veriore.

Përmes këtyre rekomandimeve, Qeveria e Kosovës obligohej që brenda gjashtë muajsh të gjente zgjidhje të qëndrueshëm për inkasimin e energjisë elektrike në veri. Por, qeveria nuk arriti ta bënte këtë.

Aktualisht, situata mbetet e njëjtë, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 25 nëntor, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se janë duke punuar vazhdimisht për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Për këtë çështje ne jemi duke bashkëpunuar me palët relevante si Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Bashkimi Evropian si fasilitues i këtij procesi, dhe me partnerë të tjerë”, u shpreh Kurti.

Por, i pyetur nga deputetët, kryeministri Kurti nuk dha ndonjë detaj e as afat kohor se kur mund t’u shkojnë faturat e para për energjinë elektrike që shpenzojnë konsumatorëve në veri.

Këtë proces, Kurti tha se e kanë vështirësuar shumë edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel nga qeveritë e kaluara.

Zgjidhja po kërkohet në Bruksel

Çështja e inkasimit të energjisë elektrike për komunën e Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka mbetur si një problem politik në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga përfundimi i luftës së viteve ‘98-‘99.

Në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur Marrëveshja për Energjinë që përfshinte regjistrimin dhe licencimin e një kompanie serbe, e cila do t’i furnizojë me energji elektrike komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Një kompani me emrin “Elektrosever D.O.O” u regjistrua në vitin 2018 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Por, Zyra e Rregullatorit të Përgjithshëm ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ajo ende nuk është pajisur me licencë.

“Ende nuk mund të japim më shumë sqarime në lidhje me këtë çështje sepse, siç kemi thënë edhe më herët, aplikacioni i kompanisë ‘Elektrosever D.O.O’ është ende në proces të shqyrtimit nga Bordi i ZRRE-së dhe kur Bordi ta konsiderojë të gatshëm për vendimmarrje, do ta vendosë në rend të ditës”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, bëri të ditur se pas takimit të fundit në Bruksel, i kanë dorëzuar BE-së një propozim të masave konkrete që duhet të ndërmerren nga BE-ja për të rregulluar çështjen e mospagesës së energjisë elektrike në veri.

Përmes një kërkese, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi që të dijë se çfarë kanë përfshirë propozimet dhe se a përfshihet këtu edhe licencimi i kompanisë “Elektrosever D.O.O”, ashtu siç e parasheh marrëveshja për energjinë e vitit 2013. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi nuk ka kthyer përgjigje.

“I kemi dorëzuar z. Lajçak(Miroslav Lajçak) një propozim të masave konkrete që nënkuptojmë edhe veprimet që duhet të ndërmarrin nga vetë Bashkimi Evropian”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për Telegrafin.

Për hapat që po merren nga Qeveria e Kosovës në vendosjen e sistemit të faturimit të qytetarëve në komunat veriore, nuk kanë kthyer përgjigje as nga Ministria e Ekonomisë.