Kosto e “Arenës Kombëtare” arrin shifrën e 70 milionë eurove

Punimet rreth ndërtimit të stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë po shkojnë drejt fundit.

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) besojnë se stadiumi do të jetë i gatshëm për ndeshjen Shqipëri – Islandë, e cila do të zhvillohet në shtator për kualifikimet e “Euro 2020”.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishi, ka theksuar se fusha do të rregullohet më 1 korrik, ndërsa tani punimet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.

Ky projekt është mjaft i kushtueshëm financiarisht. “Shifra e kostos nuk i intereson federatës. FSHF ka pasur një kontratë që ne i jepnim 10 milionë euro, dhe ambientet. Pjesën tjetër, e bën koncesionari, që do marrë ambientet tregtare. Mesa di unë, u nis për 45 milionë euro, por e ka kaluar 70 milionë euro deri tani. Ne duam ta kemi gati për në shtator, sepse kemi ndeshjen me Islandën, dhe e kemi detyrim fitoren. Mund ta hapim dhe me Francën, dhe ndoshta mund të mos fitojmë, por me Islandën na duhet patjetër fitorja, dhe do ishte shumë mirë të luanim në këtë stadium të ri”, ka thënë Dervishi në emisionin “Pressing” në “Abc News”.

Sipas tij, një punë e madhe do të bëhet jashtë stadiumit, ku do të ketë edhe rrënime objektesh, për ta krijuar një zonë pedonale.