Kosovë – Suedi, përfundimisht pa shikues

Kombëtarja e Kosovës do të luajë tri ndeshje gjatë muajit mars. Fillimisht do të luajë një ndeshje miqësore në Prishtinë ndaj Lituanisë e më pas i ka dy ndeshjet e vlefshme për kualifikimet për Kampionat Botëror me Suedinë dhe Spanjën.

Përveç ndeshjes me Lituaninë, Kosova do ta luajë në “Fadil Vokrri” edhe ndeshjen me Suedinë.

Edhe pse u paralajmërua mundësia që të jenë një numër i kufizuar i shikuesve, megjithate kjo nuk do të ndodhë. FFK ka konfirmuar për Express se as në këto ndeshje s’do të ketë shikues.

“Jo nuk do te lejohen shikuesit. UEFA dhe FIFA e ka te ashtuquajturin protokoll “return to play” dhe është shumë strikt. Protokolli i lejon vetëm 10 veta, të kryesisë së Federatës. Për fat të keq kemi kërkesa edhe prej Ambasadës së Suedisë, KFOR’it, e të tjerëve, por nuk lejohen. Dënimet janë shumë të rrepta. Po ashtu, jemi në zonë të kuqe dhe duhet të kemi kujdes të shtuar. Në mars sigurisht se nuk do të lejohen” – tha sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu.

Por, ai la të hapur mundësinë që tifozët të rikthehen në qershor, kur Kosova luan ndeshje miqësore.

“Në qershor kemi ndeshje miqësore, mund të ketë numër të kufizuar të shikuesve. Në shtator fillon cikli i ri dhe shpresojmë të kemi shikues” – theksoi Salihu.

Kosova më datë 25 luan ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse tri ditë më vonë e pret Suedinë.

Më pas më 31 mars “Dardanët” përballen me Spanjën në udhëtim.