Aeroport

Kosovari tenton të shkojë në Gjermani me dhjetëra fishekë në valixhe, e kthejnë në aeroport

Nga 1 janari, kosovarët gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen. Një 29-vjeçar nga Malisheva vendosi të niset mëngjesin e së martës, për në Gjermani, por përfundoi në stacion policor.

Kosovari u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” pasi gjatë kontrollit, zyrtarët e aeroportit i gjetën diçka të kundërligjshme.  

Sipas informacioneve të Sinjalit, i dyshuari siç duket vendosi që të marrë rrugën me dhjetëra fishekë në valixhen e tij, që iu kapën në flagrancë.

Përballë kësaj situate, i riu nga Malisheva që pagoi biletën për të fluturuar nga Aeroporti i Prishtinës në atë të Dusseldorfit, përfundoi në Polici.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku është gjetur një armë e gjatë me fishekë të tjera – që janë sekuestruar si prova lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për armëmbajtje pa leje dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.