Kosovare Asllani shënon supergol nga goditja e këndit për Suedinë (Video)

Futbollistja e Real Madridit me prejardhje shqiptare, Kosovare Asllani, shkëlqeu në ndeshjen e mbrëmshme të Suedisë kundër Sllovakisë, gjatë së cilës ajo e shënoi golin më të pabesueshëm të karrierës së vet – drejt e nga goditja e këndit.

Ekipi kombëtar i Suedisë siguroi fitore bindëse me rezultat 7-0 kundër Sllovakisë në ndeshjen e së martës, në kuadër të xhiros së katërt të Grupit F për Kampionatin Evropian 2021.

Përderisa rezultati në fund të ndeshjes ishte i thellë, kishte qenë Kosovare Asllani ajo që e kishte zhbllokuar rezultatin në minutën e 26-të të ndeshjes. Këtë gjë e bëri në mënyrë të jashtëzakonshme, duke shënuar drejt nga një goditje nga këndi.

30-vjeçarja, që këtë verë iu bashkua Real Madridit, i ka ndihmuar Suedisë gjatë tërë kësaj kampanje kualifikuese në EURO 2021. Suedia momentalisht radhitet e para në tabelën e Grupit F, me nëntë pikë të siguruara nga tri ndeshjet e para.

Kosovare Asllani e siguroi kalimin në Real Madrid përmes paraqitjeve të saj mbresëlënëse në Kupën e Botës këtë verë, kur me Suedinë arriti ta sigurojë medaljen e bronztë të kampionatit.

loading…