Kosovare Asllani me futbollistet e Real Madridit kanë pësuar humbje të thellë sot në ndeshjen e parë zyrtare. Real Madridi u shkatërrua 4:0 në shtëpi nga Barcelona në “Clasicon” e parë në konkurrencë të femrave.

Ndeshja u luajt në kuadër të Primera Divisionit në futboll të femrave.

Barcelona, që është kampione në fuqi e Spanjës, dominoi nga fillimi dhe kaloi në epërsi në minutën e 18-të me anë të Patricia Guijarros.

Real Madridi dukej se barazoi rezultatin kur nga afërsia shënoi Kosovare Asllani, por goli u anulua për faul në portiere, gjë që u përcoll me kritika.

Barcelona e dyfishoi epërsinë në nismë të pjesës së dytë pas autogolit të Babett Peterit. Dy golat e fundit i shënuan Lieke Martens dhe Alexia Putellas.

Real Madridi po luante ndeshjen e parë zyrtare që nga blerja e klubit lokal CD Tacon në korrik. Klubi garoi me emrin Tacon dhe fanellat e këtij klubi, por luajti në fushën e Realit.