Kosova vazhdon stërvitjet e motivuar për fitore

Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka mbajtur stërvitjen e dytë, në prag të ndeshjes gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020” kundër Maqedonisë së Veriut, ndeshje që luhet të enjten në Shkup.

“Dardanët” e kanë mbajtur me dyer të mbyllura stërvitjen e së martës paradite, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Në seancën e dytë përgatitore u paraqitën edhe: Elbasan Rashani, Lirim Kastrati, Edon Zhegrova, Benjamin Kololli dhe Herolind Shala. Pesë futbollistët i munguan Kosovës në stërvitjen e parë të mbajtur të hënën.

Edhe pse Lazio njoftoi se ka liruar Muriqin që t’i bashkohet Kosovës për tri ndeshjet e tetorit, megjithatë, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se golashënuesi më i mirë i Përfaqësueses nuk është i gatshëm për lojë.

Ndërkohë ka mbetur të sqarohet nëse Amir Rrahmani do të mund të grumbullohet me Kosovën për ndeshjet ndaj Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë dhe Greqisë. Ardhja e tij është e pasigurt, ani pse për KOHËN Rrahmani ka njoftuar se nuk është infektuar me koronavirus, ndonëse mediat italiane kishin shkruar gjatë ditës se prishtinasi është njëri prej të prekurve. Kosovës do t’i mungojnë edhe të lënduarit e tjerë Milot Rashica, Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca.

Futbollistët e Kosovës janë shprehur të motivuar për të arritur fitore përballë Maqedonisë së Veriut.

Herolind Shala ka theksuar se është ndeshje e rëndësishme për gjithë Kosovën.

“ Është ndeshje e rëndësishme për neve, për shtetin dhe do të jetë ndeshje shumë e mirë. Është me rëndësi ta arrijmë fitoren për të kaluar në raundin tjetër. Ka lojtarë me cilësi, lojtarë të mirë dhe të rinj. Ka ekip me lojtarë me eksperiencë. Kemi bërë të gjitha analizat dhe tash pritet të përgatitemi sa më mirë për të qenë gati për ndeshje. Na duhet përkrahja dhe secili e di se sa e rëndësishme është kjo lojë. Do ta japim maksimumin, sepse është e rëndësishme për ne”, ka thënë Shala.

Se sa e rëndësishme për Kosovën është ndeshja kundër Maqedonisë së Veriut e thotë edhe Fidan Aliti. Shala e Alitit pritet të jenë startues.

“Të flasësh për mungesat nuk është një gjë e mirë, sepse secili që është këtu ka kualitet dhe ai që mungon ka treguar veten dhe na duhet. Për momentin duhet të punojmë ne që jemi këtu dhe do ta japim maksimumin secili prej nesh për të dalë fitues. Në këtë moment na duhet përkrahja e të gjithëve nga shtëpitë për t’ia dalë së bashku”, është shprehur Aliti.

Futbollistët dhe stafi i Përfaqësueses të martën në mëngjes janë testuar për koronavirus, derisa rezultatet pritet t’i marrin të mërkurën në mëngjes. Me të marrë rezultatet, Përfaqësuesja do të niset drejt Shkupit, ku në mbrëmje do ta zhvillojë edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut. Kosova të dielën e pret Slloveninë, derisa më 14 tetor luan në udhëtim ndaj Greqisë. Këto dy ndeshje i takojnë edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.