Kosova U17 e fillon me fitore ciklin kualifikues për Evropian, mposht Austrinë

Përfaqësuesja e Kosovës U17 në futboll, e ka filluar me fitore ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian që do të mbahet në vitin 2022.

“Dardanët” e rinj e kanë mposhtur Austrinë U17 me rezultatin 1:0.

Golin që ka vlerën e tri pikëve e ka shënuar Elton Krasniqi në minutën e 53-të. Ai u asistua nga David Marku.

Krasniqi është rritur te 2 Korriku, kurse nga vera e këtij viti ka kaluar te Hannoveri në Gjermani. Bëhet fjalë për një futbollist të talentuar.

Kosova ka tri pikë dhe zë vendin e dytë në grupin e nëntë kualifikuese. Lidere e grupit është Sllovenia me tri pikë, pas fitores së thellë ndaj Ishujve Faroe 8:0.

Ndeshjen e dytë, “Dardanët” e luajnë me nëntë tetor kundër Sllovenisë, kurse me 12 tetor përballen me Ishujt Faroe.

Dy përfaqësueset që renditen në vendet një dhe dy, kalojnë në elit raund. Kurse katër ekipet më të mira në pozitat e treta, po ashtu kalojnë tutje. Gjithsej janë 13 grupe.