Kosova arriti fitore të mrekullueshme të shtunën në udhëtim te Malta, teksa mposhti ishullorët me rezultatin e thellë 0-5.

“Dardanët” kanë përpara testin e fundit në Ligën e Kombeve derisa sonte në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të presin rivalin kryesor të grupit, Azerbajxhanin.

Kosovës i mjafton edhe barazimi ndaj azerëve për të përfunduar grupin si lider dhe të kualifikohet për fazën finale të Ligës së Kombeve, kompeticion nga i cili futbollistët e trajnerit Bernard Challandes mund ta arrijnë kualifikimin historik për në Kampionatin Europian të vitit 2020.

Përmbyllja e grupit si lider do ta ngriste Kosovën në një kategori më lartë, teksa nga edicioni i ardhshëm do të merrte pjesë në Ligën C. Vlen të përmendet se Kosova nuk është mposhtur që nga tetori i vitit 2017, kur pësoi disfatë nga Islanda.

Takimi i parë mes Azerbajxhanit dhe Kosovës i zhvilluar në Baku pati përfunduar në barazim 0-0, ndërsa takimi i revanshit zhvillohet sonte prej orës 20:45.