Kosova sot përballë Greqisë në “Fadil Vokrri”

Kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” Kosova do t’i vazhdojë me ndeshjen kundër Greqisë.

Sfida zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45.

“Dardanët” vijnë nga një fitore e rëndësishme kundër Gjeorgjisë si mysafir dhe presin rezultat pozitiv edhe në sfidën e së dielës.

Trajneri Bernard Challandes nuk do të mund të llogorisë në shërbimet e portierit Visar Bekaj i cili rezultoi pozitiv me Covid-19, ndërsa është në dyshim edhe paraqitja e Elbasan Rashanit për shkak se lojtari ka pësuar një lëndim të lehtë dhe në stërvitjen e fundit punoi i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.

Ndërkohë në dispozicion është rikthyer Milot Rashica i cili mungoi në ballafaqimin me Gjeorgjinë.

Në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani Kosova ka dy humbje dhe një fitore.