Kosova sonte në fushë ndaj Malit të Zi për të vazhduar ëndrrën “EURO 2020”

Kosovës do t’i duhet të fitojë kundër Malit të Zi, në mënyrë që të jetë akoma në garë për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020.

Kombëtarja e Kosovës do ta presë Malin e Zi sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe çfarëdo rezultati përveç fitores nënkupton se verdhekaltrit rrezikojnë të mbesin jashtë garës për kualifikim në Euro 2020.

Kosova po shpresonte se me një fitore eventuale kundër malazezëve në shtëpi, do të ngritej në pozitën e dytë me dy pikë mbi rivalin e drejtpërdrejt për këtë vend, Republikën e Çekisë – të fundit që dërgon në Euro përmes kualifikimeve – por gjërat ndryshuan pas fitores së papritur të çekëve kundër lideres së Grupit A, Anglisë, të premten në Pragë.

Kjo nënkupton se tani verdhekaltërve u duhet fitorja për t’iu afruar Çekisë në vetëm një pikë para duelit të drejtpërdrejt në xhiron e ardhshme në Pragë.

Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes, ka këmbëngulur në konferencë për media para këtij takimi se skuadra e tij nuk po mendon për fitoren e çekëve kundër Anglisë, sepse përqendrimi është te ndeshja e saj me malazezët.

“Kemi një ndeshje nesër, kundër Malit të Zi. Për mua s’ka ndryshuar asgjë përkundër fitores së Çekisë, ok është më vështirë, por nuk mendoj për ndeshjet e radhës. Ndoshta nëse Anglia do të kishte fituar në Çeki edhe barazimi do të na kishte hyrë në punë, por sido që të jetë ne shkojmë ndeshje pas ndeshje dhe duhet të fitojmë atë të radhës, kundër Malit të Zi. Në fund të kualifikimit nëse nuk është siç kemi menduar, atëherë kemi opsionin tjetër”, tha Bernard Challandes.

Ai beson se ëndrra e kosovarëve për kualifikim në Euro në tentimin e parë do të vazhdojë, gjithsesi.

“Nëse duam të vazhdojmë të ëndërrojmë, duhet të fitojmë ndeshjen e radhës kundër Malit të Zi, duhet të fitojmë, më pas flasim”, shtoi ai.

Përveç ndeshjes së sotme me Malin e Zi, Kosova do t’i ketë edhe dy takime të tjera deri në përfundim të fushatës kualifikuese, kundër Çekisë dhe Anglisë.

Kosova gjithmonë do ta ketë një mundësi të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Euro, megjithatë, sepse nëse dështon ta bëjë këtë përmes rrugës tradicionale, atëherë do të luajë në play-off të Ligës së Kombeve, një ndeshje gjysmëfinale kundër Maqedonisë Veriore dhe një finale eventuale kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.

loading…