Kosova shpall listën për ndeshjen vendimtare me Malin e Zi

Gjithsej 20 hendbollistë janë përfshirë në listën e Kosovës para ndeshjeve të fundit eliminatore për “Euro 2022”.

Përzgjedhësi Bujar Qerimi të premten ka publikuar listën për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë. Fokusi i Kosovës është te ndeshja me Malin e Zi, që luhet më 28 prill në Prishtinë. Me fitore eventuale në atë ndeshje, Kosova kualifikohet për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Do të ishte ky një sukses historik. Ende asnjë përfaqësuese kosovare nuk është kualifikuar në Evropian, në sporte ekipore.

Kosova i mbyll eliminatoret më 2 maj me ndeshjen në udhëtim ndaj Suedisë. Ndaj suedezëve Kosova është thuajse pa gjasa. Suedia në fund të janarit u rendit e dyta në botë. Pra, është prej përfaqësueseve më të mira botërore aktualisht.

Fitorja në Bukuresht ndaj Rumanisë e ka futur Kosovën në garë për kualifikim. Aktualisht Kosova është e treta në grupin e tetë kualifikues me 3 pikë, sa i ka edhe Rumania në vend të dytë. Udhëheq Suedia me 6 pikë, kurse Mali i Zi i ka 2 pikë në vend të fundit. Suedia e Mali i Zi i kanë luajtur nga tri ndeshje, ndërsa Kosova e Rumania nga katër.

Kosovës i duhet fitorja ndaj Malit të Zi për t’u kualifikuar në Evropian. Dy të parët në grup kualifikohen, e po ashtu katër prej tetë përfaqësueseve më të mira të vendeve të treta nëpër grupe.

Seleksionuesi Qerimi do të bazohet në lojtarët që kanë siguruar fitoren historike ndaj Rumanisë, më 14 mars.

Në Përfaqësuese janë kthyer Fatlum Ahmeti e Bashkim Gashi, që bëjnë karrierë në Suedi. Ndërkohë Agon Bajqinovci i Prishtinës dhe Arbios Mushkolaj e Arti Luzha të Besa Famgas janë ftuar për herë të parë.

Hendbollistët e ftuar për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë

Agon Bajqinovci, Kastriot Jupa, Bashkim Gashi, Valon Dedaj, Fatlum Ahmeti, Drenit Tahirukaj, Deniz Terziqi, Arti Luzha, Arbios Mushkolaj, Luigj Quni, Festim Mustafa, Drilon Tahirukaj, Lulzim Shabani, Haris Berisha, Bujar Ramosaj, Jon Muqolli, Leonard Gegaj, Rron Ramadani, Egzon Gjuka, Liridon Zena