Kosova rrezikon të mbetet pa ambasadorë në 12 shtete, ngrihen dyshime për “konflikt” mes Kurtit dhe Osmanit

Me 19 maj të këtij viti, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, i ka shkarkuar 12 ambasadorë. Këtë hap, ajo e ka ndërmarrë me kërkesë të ministres për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz. “Fshesa” e diplomatëve u bë në emër të asaj se ata kanë qenë të emëruar politikë.

Kthimi i të shkarkuarve pritet të bëhet me 30 gusht, ndërkohë që ende nuk dihet se kush do të jenë pasuesit e tyre në 12 shtetet respektive: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mal të Zi, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Katar.

Tash kur kanë mbetur edhe katër ditë nga kthimi i diplomatëve të shkarkuar, Ministria e Punëve të Jashtme, nuk jep hollësi se deri ku ka shkuar procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj, por thotë se kjo punë do të kryhet shpejt.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është në fazën e finale të përmbylljes së këtij procesi. Të gjitha detajet lidhur me emërimin e ambasadorëve do të bëhen të ditura për opinionin brenda pak ditësh”, kanë deklaruar nga MPJ për Infokus.

Por, ndryshe e sheh këtë proces, Xhavit Haliti, zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme. Ky deputet që vjen nga radhët e PDK-së, ka bindjen se vonesa në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj ka ardhur si pasojë e problemeve që kanë partnerët e koalicionit qeverisës.

Sipas Halitit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo dëshirojnë të dërgojnë njerëzit e tyre në këto ambasada.

“Tani ata janë një koalicion, po besoj me problemet normale që kanë koalicionet në përgjithësi, me pretendimet që secila palë me i dërguar njerëzit e vet, unë mendoj që kjo është arsyeja kryesore”, ka thënë Haliti për Infokus.

Po ashtu, sipas tij mund të ketë konflikti ndërmjet presidentes dhe kryeministrit për emrat e përmendur.

“Arsyeja tjetër është që emrat që janë përmendur duhet të kalojnë në procedura në Komision për Integrim evropiane, dhe duhet të kalojnë procedurat deri të presidentja. Nëse ka konflikt lidhur më emërimet ndërmjet presidentes dhe kryeministrit atëherë normalisht zvarriten këto çështje. Mirëpo mirë është që sa më shpejtë të emërohen ambasadorët, është një hap përpara për të qenë në lidhje me shtetet mike”, u shpreh Haliti.

Proceduralisht, gjasat që emërimet e reja të bëhen para 30 gushtit janë të pakta. Kjo për faktin se deputetët që duhet t’i marrin në intervistim kandidatët për ambasadorë janë në pushime deri në mesin e shtatorit. Ata duhet të përgatisin një raport për kandidatët e propozuar nga MPJ, dhe atë t’ia dërgojnë presidentes Osmani. Më pas, është në dikrecionin e shefes së shtetit, nëse dëshiron ta marrë parasysh atë raport, apo jo. Por ligjërisht është e obliguar ta pres raportin. Megjithatë, as këtu nuk përfundon procesi. Pas kryerjes së të gjitha procedurave brenda në vend, duhet pritur pëlqimet nga shtetet ku ata do të dërgohen.

Pas shkarkimit të “ambasadorëve politikë”, ministrja Gërvalla pati deklaruar se diplomatët e rinj do ta nisin punën në kohën kur do ta përfundojnë misionin të shkarkuarit, duke e bërë kështu dorëzim-pranimin e detyrës.

Gazeta Infokus, ditë më parë ka arritur të zbuloj emrin e të propozuarit për ambasador në Shqipëri. Bëhet fjalë për Idriz Zeqirajn, një mbështetës i ministres Gërvalla. Përzgjedhja e tij si kandidat potencial për ambasador ka nxitur reagime të shumta në vend.