Izraeli

Kosova rreshtohet me Izraelin në kohë lufte – palestinezët rikonfirmojnë raportet miqësore me Serbinë

Izraeli është shumë mirënjohës ndaj Kosovës – shtetit me të cilin lidhi marrëdhënie diplomatike para pak kohësh – që deklaroi mbështetjen e tij të plotë për të, duke dënuar sulmin e Hamasit. Përvec shtetit hebre Prishtina zyrtare në këtë mënyrë po qëndron në anën e Perëndimit, ndërkohë që marrëdhëniet me Palestinën duken të pandreqshme.-

Palestina e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë dhe ambasadori i ri palestinez në Beograd para pak ditësh ia konfirmoi kryeministres serbe se ky qëndrim as që do të ndryshojë. Këtë e kishte kuptuar vetë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla vitin e kaluar, kur e kishte takuar ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad al-Malikin. Në përpjekjen “për ta thyer akullin”, ajo ishte bindur për lidhjen e fortë të Palestinës me Serbinë.

Izraeli është përfshirë në luftë që prej të shtunës në mëngjes, pasi grupi militant Hamas lëshoi mijëra raketa përtej kufirit. Alarmet u lëshuan në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv dhe mbi 1,000 persona u vrarë deri më tani. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.

Kosova reagoi shpejt. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e dënuan inkursionin e papritur, duke shprehur solidaritet me Izraelin, me të cilin shteti më i ri në Ballkan vendosi marrëdhënie diplomatike para tre vjetësh.

“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin e Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, shkroi Osmani.

Më pas, Kurti: “Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”.-

Ai reagoi edhe një herë të hënën, duke u shprehur shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin e lartë të viktimave.

“Shumë i shqetësuar për krimet kundër civilëve dhe numrin në rritje të vdekjeve pas sulmeve të Hamasit në Izrael. Unë qëndroj me aleatët tanë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre akteve, duke mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje kundër terrorizmit dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, shkroi Kurti.

Mbështetja e Kosovës nuk mbeti pa u vënë re në shtetin e fuqishëm aziatik.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv e falënderoi Kurtin në shqip.

“Ju faleminderit shumë, Shkëlqesia Juaj z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës!”, shkroi Ziv të shtunën, duke shpërndarë reagimin e tij.

Mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës, ambasadorja izraelite e shprehu edhe dy ditët pasuese.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e palëkundur nga miqtë tanë në Kosovë. Mbështetja juaj ka një rëndësi të madhe për ne në këto ditë jashtëzakonisht të errëta dhe të vështira. Ndërsa situata në Izrael vazhdon të zhvillohet, zemrat dhe mendimet tona janë me familjet dhe komunitetet në rajonin jugor”, shkroi Ziv të dielën.

Ajo tha dje se janë prekur nga mbështetja që e tregoi Kosova këto ditë.

“Jemi thellësisht të prekur e mirënjohës nga mbështetja e palëkundur e te shkëlqyeshme që kemi marrë nga miqtë tanë në Kosovë, duke përfshirë partitë në pushtet dhe në opozitë, si dhe nga njerëzit nga të gjitha shtresat kemi marrë mesazhe mbështetëse”, u shpreh ambasadorja në një intervistë për RTK-në.

Marrëdhëniet Kosovë-Palestinë

Për Palestinën, Kosova është Serbi dhe çdoherë kur i jepet rasti, vendi aziatik përsërit se ky qëndrim s’do të ndryshojë.

Këtë e kishte kuptuar qartë vitin e kaluar edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila në mars e kishte takuar në Turqi ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad al-Malikin, në një përpjekje “për ta thyer akullin”, siç kishte thënë vetë.

Ndërsa i kishte treguar atij se qëndrimi i Kosovës ishte “shumë miqësor”, Gërvalla tregonte se si ishte bindur për lidhjen e fortë të Palestinës me Serbinë dhe se kishte parë që nuk kishte “interesim të dyanshëm” për t’i ndryshuar marrëdhëniet.