Kosova po bëhet gati për njohjen zyrtare nga Izraeli, merr një vendim për antisemitizëm

Me propozimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Sublla, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi vendimin kundër Antisemitizmit, duke e renditur kështu Kosovën siç tha ajo krah shteteve aleate e strategjike të saj, në luftën kundër gjuhës së urrejtjes anti-semitike.

Shefja e diplomacisë kosovare, ka thënë se urrejtja ndaj hebrenjve ka shkaktuar edhe Holokaustin, që sot është ndër memoriet më të trishta dhe të turpshme të botës.

“Për qeverinë e Kosovës lufta ndaj kësaj të keqe është një domosdoshmëri morale dhe politike, sepse racizmi dhe antisemitizmi janë e kundërta e vlerave mbi të cilat është themeluar Republika e Kosovës. Andaj, kërkoj nga ju miratimin e këtij propozim-vendimi i cili do të listojë Kosovën përkrah aleatëve tanë historik dhe strategjik të cilët kanë konrmuar përkushtimin për luftimin e urrejtjes ndaj hebrenjve, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe promovimin e respektit për liritë fetare”, tha Haradinaj-Stublla.

Reporteri.net dje ka raportuar se fiks dy javë pas takimit dhe marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën u përfshi edhe njohja mes Kosovës e Izraelit dhe vendosja e ambasadës së shtetit kosovar në Jerusalem, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i drejtohet popullit të Kosovës me anë të një video-mesazhi.

E gjitha do të ndodhë të martën e 15 shtatorit, me rastin e “Rosh Hashanah”, kur shënohet Viti i Ri Hebraik, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

Video-përshëndetja e Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, për popullin e Kosovës dhe komunitetin hebraik në Kosovë, do të shfaqet në një ceremoni festive të Vitit të Ri Hebraik e organizuar nga Kryerabinati i Shqipërisë, në një nga hotelet e Prishtinës.

Sipas agjendës së paraparë nga organizatorët, të siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, përveç video-mesazhit të Kryeministrit Netanyahu, gjatë ceremonisë mund të ketë edhe një lidhje direkte me kryeministrin izraelit.

Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar edhe krerët e shtetit, Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit, një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit e ka zhvilluar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit amerikan Donald Trump.